Në përballjen ndaj Girona FC në “Montilivi”, FC Barcelona kishte një objektiv të qartë: fitoren për të rimarrë kreun e La Liga dhe për të qëndruar përpara Real Madrid.
Megjithatë, vendasit u shfaqën të organizuar dhe i krijuan jo pak vështirësi skuadrës së drejtuar nga Hansi Flick.
Momenti kyç i takimit erdhi në fund të pjesës së parë, kur një ndërhyrje e Daley Blind ndaj Dani Olmos i dha Barcelonës një penallti. Për ekzekutimin u paraqit talenti i ri Lamine Yamal, por tentativa e tij përfundoi në shtyllën e majtë, me portierin Paulo Gazzaniga që mbeti i palëvizur.
Kjo ishte penalltia e parë e humbur nga Yamal në karrierën e tij, pas shtatë realizimeve radhazi. Një moment i rëndësishëm për 17-vjeçarin, por edhe pjesë e një statistike jo fort të favorshme për katalanasit.
Me këtë rast, Barcelona ka arritur në 24 goditje në shtyllë apo traversë gjatë 24 javëve të kampionatit – një tregues i mungesës së fatit në shumë ndeshje këtë sezon.
Ndërkohë, vëmendje ka tërhequr edhe reagimi i Raphinha, zakonisht ekzekutues i penalltive, i cili nuk u duk plotësisht i kënaqur që ia la gjuajtjen bashkëlojtarit të tij – një detaj që po komentohet gjerësisht në rrjetet sociale.






