Ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve anëtare të G7-s u dakorduan më 22 maj në një takim në Kanadanë perëndimore se Rusia mund të përballet me sanksione të reja nëse nuk pranon një armëpushim në luftën kundër Ukrainës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në deklaratën përfundimtare, G7 dënoi ashpër “luftën brutale” të Rusisë dhe paralajmëroi se, në rast të dështimit të përpjekjeve diplomatike, do të shqyrtohen “të gjitha opsionet”, përfshirë shtimin e mëtejshëm të sanksioneve kundër Moskës.
Po ashtu, G7 konfirmoi se asetet sovrane të Rusisë, të ngrira në juridiksionet e vendeve anëtare, do të mbeten të bllokuara deri kur Rusia të ndalojë luftën dhe të dëmshpërblejë Ukrainën për shkatërrimet e shkaktuara.
Ministrat njoftuan bashkëpunim të ngushtë për të parandaluar që ndonjë vend apo entitet i përfshirë në financimin ose furnizimin e makinerisë ruse të luftës të përfitojë nga procesi i rindërtimit të Ukrainës pas përfundimit të konfliktit.
Ministri kanadez i Financave, Francois-Philippe Champagne, e cilësoi qëndrimin si “shumë të fortë”, ndërsa u shmang përmendja e drejtpërdrejtë e vendeve si Kina, që shpesh akuzohet për ndihmë ndaj Rusisë.
Takimi u mbajt në Malet Shkëmbore të Kanadasë dhe shërben si përgatitje për samitin kryesor të G7-s, i cili do të mbahet në mes të qershorit. Në takim mori pjesë edhe ministri ukrainas i Financave, Serhiy Marchenko, i cili kërkoi që presioni mbi Rusinë të vazhdojë.