Një nga lëvizjet më spektakolare të viteve të fundit në NBA tashmë është zyrtare. Pas muajsh spekulimesh dhe diskutimesh intensive, Giannis Antetokounmpo po largohet nga Milwaukee Bucks për t’iu bashkuar Miami Heat, duke i dhënë fund një kapitulli historik që zgjati më shumë se një dekadë.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, mes tyre edhe ESPN, Miami arriti të triumfojë në garën për nënshkrimin e superyllit grek, duke lënë pas edhe Boston Celtics. Antetokounmpo largohet nga Bucks si një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e organizatës, pasi fitoi dy çmime MVP dhe udhëhoqi skuadrën drejt titullit kampion në vitin 2021.
Marrëveshja mes dy skuadrave është një nga më të mëdhatë e viteve të fundit. Përveç Giannisit, në Miami do të transferohet edhe Bobby Portis, ndërsa Milwaukee do të përfitojë Tyler Herro, Kel’el Ware, Jaime Jaquez Jr. dhe Kasparas Jakucionis.
Pakoja për Bucks nuk përfundon me kaq. Klubi nga Wisconsin do të marrë gjithashtu tri zgjedhje të raundit të parë në draft, të drejtën për shkëmbimin e një zgjedhjeje të ardhshme dhe një zgjedhje të raundit të dytë.
Largimi i Antetokounmpos mbyll një histori që nisi në vitin 2013, kur ai u përzgjodh nga Milwaukee në draft. Që nga ajo kohë, greku u shndërrua në fytyrën e klubit, liderin e skuadrës dhe simbolin e një prej periudhave më të suksesshme në historinë e Bucks.
Megjithatë, muajt e fundit raportet mes yllit grek dhe drejtuesve të klubit nuk kanë qenë më të njëjtat. Pakënaqësitë u shtuan pas vendimeve të stafit mjekësor dhe teknik për ta lënë jashtë fushës pas një dëmtimi në gju, pavarësisht insistimit të lojtarit se ishte i gatshëm të luante.
Situata u përkeqësua edhe më shumë pas një sezoni zhgënjyes për Milwaukee, që dështoi të siguronte një vend në play-off dhe e mbylli kampionatin me bilanc negativ prej 32 fitoresh dhe 50 humbjesh. Antetokounmpo nuk e fshehu pakënaqësinë e tij as ndaj mënyrës se si ishte ndërtuar skuadra.
“Mendoj se ndonjëherë njerëzit nuk dëgjojnë atë që them. Ata dëgjojnë burime të tjera. Burimi kryesor jam unë, por kështu funksionojnë gjërat”, deklaroi ai në muajin prill.
Tashmë, në moshën 31-vjeçare, Antetokounmpo nis një aventurë të re me Miami Heat, me synimin për të rikthyer skuadrën mes pretendenteve kryesore për titullin e NBA-së. Ndërkohë, Milwaukee përballet me sfidën e rindërtimit pas largimit të lojtarit që për më shumë se dhjetë vjet ishte zemra dhe shpirti i klubit.





