Pas 14 vitesh në futbollin italian, duket se aventura e Paulo Dybala në Serie A po i afrohet fundit.
Sulmuesi argjentinas, i cili aktualisht mbron ngjyrat e AS Roma prej katër sezonesh, ka lënë gjurmë të rëndësishme edhe më herët te Palermo dhe veçanërisht te Juventus, ku përjetoi kulmin e karrierës së tij në Itali.
Kontrata e 32-vjeçarit me Romën skadon në fund të sezonit dhe, sipas raportimeve, palët nuk kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit.
Sipas ESPN, e ardhmja e Dybalas tashmë është larg Evropës, pasi ai ka vendosur të rikthehet në Argjentinë. Madje, thuhet se lojtari ka arritur marrëveshje me Boca Juniors, një nga klubet më të mëdha të vendlindjes së tij.
Zyrtarizimi i transferimit pritet të vijë në muajin qershor, ku Dybala do të firmosë një kontratë trevjeçare, duke mbyllur një kapitull të gjatë dhe të suksesshëm në Itali dhe duke nisur një sfidë të re në Amerikën e Jugut.






