Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Komandantin e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimit dhe Asistencë të Sigurisë të Ushtrisë së ShBA-së (SATMO), kolonel Thomas Melton.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit u vlerësuan të arriturat e deritanishme të ushtrisë kosovare dhe performanca e lartë e pjesëtarëve gjatë aktiviteteve të përbashkëta me ekipet e SATMO-s.
Bisedimet përfshinë edhe mbështetjen e vazhdueshme të ekipeve amerikane në ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe procesin e validimit të njësive të FSK-së, si pjesë e planit të zhvillimit të forcës.
“Gjithashtu u diskutua për planin trevjeçar të aktiviteteve të përbashkëta që do të realizohen në të ardhmen, ku roli i ekipeve të SATMO-s është i jashtëzakonshëm në trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të reja të FSK-së”, thuhet në njoftim.
Në përmbyllje, u theksua rëndësia e madhe e mbështetjes nga ekipet trajnuese të SATMO-s për avancimin e profesionalizmit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.