Përgatiti: Krenare Mulliqi
Me 60 pikë nga 100 njësoj si vitin e kaluar, është vlerësuar Kosova nga organizata “Freedom House”.
Kosova, sipas Freedom House, vlerësohet si vend “pjesërisht i lirë”, pavarësisht përparimit në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve.
Ekspertja e organizatës “Freedom House” për Ballkanin, Alexandra Karppi, tha për Zërin e Amerikës se situata në Kosovë nuk mund të shkëputet nga dinamika e zhvillimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Vitet e fundit Kosova ka shënuar përparim, çka pasqyrohet te rezultatet, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare, proceseve më të dobishme politike, që u kanë mundësuar qytetarëve pjesëmarrje më të lirë, dhe shoqërisë civile veprimtari më aktive. Këto gjëra gjithsesi kanë shënuar përparim në vitet e fundit”, deklaroi Karppi.
Raporti, sipas të cilit, vlerësohet përparimi i 195 shteteve dhe 15 territoreve gjatë vitit 2023, bazuar në vlerësimet në fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, e cilësoi gjendjen e përgjithshme globale të të drejtave politike dhe lirive të njeriut si “situatë të përshkallëzuar gjerësisht”.
Në krye të listës së organizatës renditet Finlanda me 100 pikë, pasuar nga Zelanda e Re dhe Suedia me 99 pikë.