Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi ka kërkuar drejtësi në përvjetorin e vrasjes së Bajramit Kelmendit dhe djemve të tij Kastriotit dhe Kushtrimit.
Dushi përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar rënien heroike të avokatit Bajrami dhe djemve të tij.
“Më 24 mars 1999, në natën kur nisi fundi i makinerisë kriminale serbe, regjimi i Slobodan Millosheviqit – eksponentë të të cilit akoma qeverisin në Beograd, kreu një nga krimet më të rënda në Prishtinë. U rrëmbyen, u torturuan dhe ekzekutuan avokati Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastrioti dhe Kushtrimi – vetëm pse ishin zë i drejtësisë dhe i lirisë së shqiptarëve të Kosovës”.
“Ky akt barbar nuk ishte thjesht një vrasje, por dëshmi e frikës së një regjimi që luftonte drejtësinë dhe të vërtetën të cilën në emër të Kosovës e përfaqësonte Avokatini saj, Bajram Kelmendi. Ata menduan se mund ta heshtnin një zë – por gabuan. Sepse drejtësia nuk vritet. Sepse kujtesa nuk shuhet”, thuhet në postimin e Dushit në Facebook.
Dushi ka kërkuar zbardhjen e këtij krimi, teksa ka shtuar se nuk do të harrohet kurrë vepra e familjes Kelmendi.
“Sot, ne kujtojmë jo vetëm dhimbjen, por edhe angazhimin, qëndresën dhe dinjitetin e tyre. Dhe nuk harrojmë kurrë krimet e regjimit kriminal serb të cilat duhet të zbardhen dhe ndëshkohen. Lavdi Bajram Kelmendit! Lavdi Kastriotit dhe Kushtrimit!”, thuhet në postimin e tij.






