Finalja e Kupës së Kosovës për sezonin 2025/26 do të sjellë një përballje të veçantë mes Dukagjini dhe Ferizaj – dy skuadra që e njohin shijen e finales, por ende nuk e kanë prekur trofeun. Këtë herë, përveç kupës, në lojë është edhe një biletë për në UEFA Europa Conference League.
Dukagjini siguroi finalen pas një tjetër paraqitjeje bindëse ndaj Ballkani, duke triumfuar 3-2 në ndeshjen e kthimit në stadiumin “18 Qershori”. Klinasit kishin hedhur themelet e kualifikimit që në takimin e parë me fitoren 3-0 si mysafir, duke kaluar me rezultat të përgjithshëm 6-2. Rruga e tyre drejt finales ishte e qëndrueshme: fillimisht kaluan Ramiz Sadiku, më pas Prishtina e Re dhe në çerekfinale dominuan ndaj Feronikeli 74.
Kjo është finalja e katërt për Dukagjinin, që ende kërkon trofeun e parë në histori, pasi në tri përpjekjet e mëparshme ka mbetur vetëm një hap larg suksesit.
Në anën tjetër, Ferizaj arriti të menaxhojë me kujdes avantazhin nga ndeshja e parë ndaj Llapi. Barazimi 0-0 në ndeshjen e kthimit mjaftoi për të vulosur kualifikimin, falë fitores 2-1 në “Zahir Pajaziti”. Gjatë këtij edicioni, Ferizaj eliminoi Tefik Qanga, më pas Drenica dhe në çerekfinale kaloi Vushtrria.
Për Ferizajn, kjo është finalja e tretë në histori. Dy herët e kaluara, në sezonet 2011/12 dhe 2012/13, skuadra u ndal në prag të trofeut, fillimisht nga Trepça ’89 dhe më pas nga Prishtina.
Kështu, gjithçka është gati për një finale ku njëra prej këtyre skuadrave do të shkruajë histori – duke ngritur për herë të parë Kupën e Kosovës dhe duke siguruar një vend në arenën evropiane.






