Provat para performancave janë të domosdoshme. Por, ndërtesa e Filarmonisë së Kosovës, në të cilin Festim Fanaj dhe kolegët e tij ushtrojnë tash e 20 vjet, nuk i plotëson kushtet.
“Që nga themelimi, Filarmonia e Kosovës ka pasë probleme me objekt, sikur vend ushtrimi që është kjo sot këtu, që me herët ka qenë një objekt ku ka ushtruar kori i qytetit, është hapësirë e vogël, këtu zakonisht mund të ushtrojnë grupet kamertale që i bjen grupet më të vogla, ndoshta deri në 10-15 persona, dhe problemin e kemi për shkak që është ose shumë ftohtë ose shumë nxehtë”, thotë Festim Fanaj.
Mungesa e një objekti nuk është halli i tyre i vetëm. Vështirësi gjatë provave, po iu shkakton edhe mungesa e instrumenteve.
“Edhe këto mbajtëset e notave ose pulte e instrumentet tjera që po i shihni shumica janë donacion nga shteti japonez, disa nga instrumentistët i kanë instrumentet e tyre personale, por na mungojnë edhe shumë gjëra të tjera bazike të cilat janë mjete harxhuese dhe ato i paguajnë vetë instrumentistët.” , shtoi tutje ai.
Për këtë institucion kaq të rëndësishëm thonë se nuk po trajtohet dinjitetshëm.
“Është një hapësirë e vogël që nuk i plotëson të gjitha nevojat dhe kërkesat për të zhvilluar aktivitetin ditor, sidoqoftë me vullnetin e gjithë anëtarëve të Filarmonisë nuk kanë munguar sukseset, pavarësisht që jemi ballafaquar me probleme dhe me mungesa në aspektin e infrastrukturës. Duhet të pajtohemi që edhe në 5 vitet e ardhshme minimalisht të operojmë nëpër hapësirat ekzistence e shpresojmë që proceset të mos zvarriten tutje që të paktën Prishtina ta ketë sallën e saj.”, deklaroi Dardan Selimaj, menaxher i Filarmonisë së Kosovës.
Që nga viti 2000 kur është themeluar, Filarmonia funksionon në një objekt të Komunës së Prishtinës, pas Ministrisë së Kulturës. Por, ky institucion nuk u përgjigj nëse ka ndonjë projekt lidhur me Filarmoninë.
Pavarësisht problemeve infrastrukturore dhe mungesës së instrumenteve, më 27 janar Filarmonia e Kosovës prezanton dy premiera, njëkohësisht duke rikthyer pas disa vjetësh në program Simfoninë e shtatë të Beethovenit./ATVLIVE.TV/