FIFA thyen heshtjen pas polemikave në Argjentinë–Egjipt, Collina mbron arbitrimin dhe VAR-in

FIFA ka dalë me një reagim zyrtar pas polemikave të shumta që pasuan ndeshjen mes Argjentinës dhe Egjiptit në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026, duke mbështetur plotësisht vendimet e ekipit të arbitrimit.

Takimi i zhvilluar në Atlanta përfundoi me një rikthim spektakolar të kampionëve në fuqi. Argjentina përmbysi disavantazhin prej dy golash dhe triumfoi 3-2 falë realizimeve të Cristian Romeros, Lionel Messit dhe Enzo Fernandezit. Megjithatë, rezultati u la në hije nga debatet e forta rreth disa vendimeve të gjyqtarit dhe përdorimit të sistemit VAR.

Pas eliminimit, Federata Egjiptiane e Futbollit reagoi ashpër, duke kërkuar përjashtimin e gjyqtarit dhe ekipit të tij nga vazhdimi i Botërorit. Egjiptianët pretenduan se arbitrat kryen gabime të rënda dhe se refuzuan të rishikonin disa situata kyçe të ndeshjes.

Në qendër të polemikave ishin dy episode vendimtare: anulimi i golit të Mostafa Zikos, pasi VAR konstatoi një faull ndaj Lisandro Martinez në nisje të aksionit, si dhe pretendimi për një penallti ndaj Mohamed Salahut pak çaste para golit të fitores së Enzo Fernandezit në minutën e 93-të.

Për t’i dhënë fund spekulimeve, shefi i arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, mbrojti publikisht punën e gjyqtarëve dhe hodhi poshtë çdo pretendim për favorizim.

“Debatet mbi vendimet e arbitrave janë pjesë e futbollit, por akuzat e pabazuara nuk kanë vend në këtë sport. Integriteti i gjyqtarëve të Kupës së Botës nuk mund të vihet në dyshim”, deklaroi Collina.

Ai theksoi se gjyqtarët e FIFA-s punojnë në mënyrë të pavarur dhe se vendimet e tyre nuk ndikohen nga asnjë faktor i jashtëm.

Duke komentuar rastin e golit të anuluar të Egjiptit, Collina sqaroi se sistemi VAR kontrollon të gjithë fazën sulmuese që i paraprin një goli dhe se ndërhyrja ndaj Lisandro Martinez u vlerësua si faull i qartë.

“Një faull mbetet faull. Nëse arbitri nuk e vëren në moment, VAR ka detyrimin të ndërhyjë dhe ta korrigjojë vendimin”, u shpreh ai.

Sa i përket episodit ku Egjipti kërkoi penallti për Salahun, drejtuesi i arbitrave tha se si gjyqtari në fushë ashtu edhe ekipi i VAR-it arritën në përfundimin se Julian Alvarez preku fillimisht topin dhe se kontakti pasues ishte pjesë normale e lojës.

“Nuk u konstatua asnjë shkelje që të justifikonte akordimin e penalltisë”, shtoi Collina.

Në fund, italiani pranoi se futbolli vazhdon të ketë situata të interpretueshme, por nënvizoi se FIFA mbetet e kënaqur me standardin e arbitrimit dhe me mënyrën se si janë zbatuar protokollet e VAR-it gjatë gjithë turneut.

Pas këtij kualifikimi dramatik, Argjentina do të përballet me Zvicrën në çerekfinale të Kupës së Botës 2026. Fituesi i këtij dueli do të sigurojë një vend në gjysmëfinale, ku do ta presë skuadra që triumfon në përballjen mes Anglisë dhe Norvegjisë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA