Reperi i njohur Fero ka dhënë një intervistë të hapur dhe emocionale për emisionin “Mirëmbrëma Yje”, ku ka folur për fillimet e vështira të karrierës, për bujën që shoqëroi marrëdhënien dhe ndarjen me ish-bashkëshorten Arbenita Ismajli, si dhe për rrugëtimin e tij shpirtëror dhe përkushtimin e sotëm ndaj muzikës.
Ai pranoi se gjatë së kaluarës kishte bërë gabime për të cilat është penduar, por theksoi se feja ka luajtur një rol të madh në transformimin e tij.
“Me të tregu drejt, ndihma më e madhe për me u largu prej gjërave të këqija ka qenë feja. Kur njeriu fillon me u marrë me religjion, ai fiton një mburojë shpirtërore, sepse përqendrohet vetëm tek gjërat e mira. Kjo ka qenë forca ime,” – u shpreh reperi.
I pyetur nga Arbana Osmani për mënyrën se si ndodhi “zgjimi” i tij fetar, Fero tregoi për herë të parë se momenti i parë kur u fal ka qenë gjatë kohës që ndodhej në paraburgim.
“Kur e kam falë vaktin e parë, isha në paraburgim. U ndjeva jashtëzakonisht mirë shpirtërisht, dhe vetë më erdhi dëshira me u falë. Edhe pse më herët isha falë ndonjëherë, s’e dija si ta bëja si duhet,” – rrëfeu ai.
Gjatë intervistës, reperi foli edhe për vajzën e tij dhe raportin e ndërlikuar me ish-bashkëshorten. Ai zbuloi se ka kaluar një vit pa e parë vajzën, gjë që e ka prekur thellë emocionalisht.
“S’kam dashtë kurrë me folë keq për të, sepse ajo është nëna e vajzës sime. Edhe njerëzit që më njohin e dinë që gjithmonë kam folë mirë për të. Thjesht, kur kalon shumë kohë pa e pa vajzën, ndihesh keq dhe ndonjëherë shpërthen prej dhimbjes. Nëse ndonjë fjalë e imja e ka lënduar, i kërkoj falje. Qëllimi im ka qenë vetëm ta shoh vajzën. Herën e fundit e kam takuar më 5 tetor, në Gjilan,” – tregoi Fero.
Sa i përket statusit të tij aktual, ai u shpreh se nuk është në një lidhje dhe se aktualisht është i përkushtuar vetëm ndaj karrierës muzikore.
“Tash për tash, jam i fokusuar në muzikë. Nga përvoja ime, lidhjet shpesh të largojnë nga përqendrimi, sepse kërkojnë kohë dhe energji. Muzika është shumë dinamike, dhe për momentin ndihem më i qetë kështu, duke iu përkushtuar vetëm karrierës,” – tha ndër të tjera reperi.
Intervista e Feros u prit me interes të madh nga publiku, pasi për herë të rrallë ai foli me sinqeritet për gabimet, reflektimin dhe rrugën e tij drejt paqes shpirtërore e profesionale.







