Faza eliminatore e Kampionatit Botëror 2026 vazhdon edhe sot me duele shumë interesante, ndërsa njëra prej tyre tashmë ka nisur.
Që nga ora 17:00, në stadiumin e Dallasit është duke u zhvilluar përballja mes Bregut të Fildishtë dhe Norvegjisë. Të dyja kombëtaret synojnë një vend në mesin e 16 skuadrave më të mira të Botërorit, në një duel ku favorit i lehtë konsiderohet formacioni norvegjez, i udhëhequr nga sulmuesi Erling Haaland. Megjithatë, Bregu i Fildishtë ka treguar paraqitje shumë të mira gjatë fazës së grupeve dhe pritet t’i bëjë rezistencë të fortë kundërshtarit.
Më vonë, nga ora 21:00, vëmendja do të jetë e përqendruar në superduelin mes Francës dhe Suedisë. Francezët vijnë në këtë takim pas një faze të grupeve të shkëlqyer, ku siguruan vendin e parë në grup, ndërsa Suedia arriti të kualifikohej në fazën eliminatore si njëra prej kombëtareve më të mira të renditura në vendin e tretë. Franca hyn në këtë sfidë si favorite, por në ndeshjet me eliminim direkt çdo gabim mund të jetë vendimtar.
Deri më tani, një biletë për në fazën e 1/8 së finales e kanë siguruar Kanadaja, Brazili, Paraguai dhe Maroku. Kanadaja eliminoi Afrikën e Jugut pas vazhdimeve, Brazili mposhti Japoninë, Paraguai befasoi Gjermaninë pas penalltive, ndërsa Maroku triumfoi ndaj Holandës, gjithashtu pas goditjeve nga pika e bardhë.





