Përgatiti: Fatlum Jashari
Konsumatorët nga 34 komuna fituan të drejtën e kompensimit për dëmin e shkaktuar nga “faturat e fryra”, në vlerë të përgjithshme 40.8 milionë euro, si mbulim për energjinë elektrike të papaguar, në katër komunat me shumicë serbe në veri, në periudhën 2012-2017.
Të hënën, Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin në të cilin njeh vendimin e Supremes.
“Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor, dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të kontestuara para Gjykatës, konstatoi që të njëjtat kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura, përmes përgjigjes në padi, përkatësisht ankesës, si dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, dhe konstatoi që aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në mars të vitit të kaluar, Gjykata Supreme shpalli aktgjykimin i cili e obligon ZRRE-në ta detyrojë KEDS-in të kompensojë konsumatorët për dëmin në fjalë.
Aktgjykimi i Supremes, që tani njihet edhe nga Kushtetuesja, ka klauzolën e zbatimit me detyrim brenda 15 ditësh.
Më 2017, Gjykata e kishte cilësuar të jashtëligjshëm vendimin e vitit 2012 të ZRRE-së, për faturimin shtesë të konsumatorëve në 34 komuna, për të mbuluar
humbjet si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: