Në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit, u shqyrtua rasti i Tom Dodajt, i akuzuar për shitjen e armës me të cilën u vra Liridona Ademaj, ngjarje për të cilën ai është dënuar më parë me pesë vjet burgim.
Dodaj është ngarkuar me veprën penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.
Avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla, në një intervistë për IndeksOnlinen thotë se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë ishte i drejtë dhe ka marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit.
Ai theksoi se, përkundër faktit që familja Ademaj tërhoqi kërkesën për kompensim material, dënimi i Dodajt është brenda kufijve të dënueshmërisë, të cilat variojnë nga 1 deri në 8 vjet.
“Pesha e veprës penale dhe pasojat e saj kanë çuar në këtë dënim”, tha Syla. “Shitja e armës, në këtë rast, ka pasur pasoja të rënda dhe është e natyrshme që të shqiptohet një dënim i tillë, pasi nuk mund të krahasohet me shitje të thjeshta armësh”, tha Syla për IndeksOnline.
Tutje, avokati Syla komentoi mungesën e vizitës së familjes nga ana e të akuzuarit.
Ai shpjegoi se, pas seancës së shkallës së parë, familja Ademaj i kishte dhënë Dodajt mundësinë të kërkonte falje dhe të ndante dhimbjen me ata, por ai nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim.
“Ne e kemi hapur derën për ngushëllime dhe e kemi ftuar të vijë për të kërkuar falje, por ai nuk ka ardhur”, theksoi avokati Syla.
“Mungesa e kërkimit të faljes dhe të pendesës për veprën që ka shkaktuar ka bërë që lidhja me familjen të mbetet shumë e dobët dhe kjo nuk mund të merret si rrethanë lehtësuese për të.”, deklaroi ai.
Në fund, avokati i familjes Ademaj shprehu besimin se Gjykata e Apelit do ta vërtetojë vendimin e shkallës së parë.
Ai tha se, përkundër sjelljes së pafavorshme të të akuzuarit pas dënimit, familja Ademaj beson se vendimi është i drejtë dhe është marrë në përputhje me pasojat që ka shkaktuar vepra penale.
“Ne e presim që vendimi të konfirmohet, pasi është një dënim i drejtë dhe i bazuar në rrethanat e rastit”, përfundoi Syla.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në ditët në vazhdim.






