​Fadil Geci dëshmon në Hagë: Tentuan të likuidojnë familjen tonë

Në seancë publike, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci e ka nisur të hënën dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Geci është thirrur nga prokuroria që të jap informacione lidhur me autorësinë e asaj që njihet si komunikata 59-të si dhe për kërcënimet që ai pretendon se Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi i kanë bërë Tahir Zemajt.

Sipas prokurorit James Pace, kjo komunikatë e etiketonte vëllait e dëshmitarit, Gani Gecin dhe se “kishte pasoja negative për familjen e tyre”.

Gjithashtu, prokurori tha dëshmitari do të jap informacione edhe lidhur me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), “strukturën e saj, anëtarësimin dhe marrëdhëniet ndërmjet UÇK-së dhe LDK-së”.

“Dëshmia e dëshmitarit përfshin informacione që kanë të bëjnë me autorësinë e komunikatës 59-të të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në tetor të vitit 1998 që etiketon vëllain e tij, Gani Gecin, bashkëpunëtor, si dhe ndikimin negativ që ka pasur komunikatë mbi të, mbi anëtarët e familjes dhe mbi të tjerët. Dëshmitari gjithashtu jep informacion lidhur me kërcënimet që i ka bërë Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi Tahir Zemajt si dhe informacion lidhur me arrestimin, ndalimin dhe keqtrajtimin e përfaqësuesve të asamblesë së Kosovës dhe të Kuvendit të Kosovës përreth Qiriezit në shtator të vitit 1998, si dhe arrestimin, ndalimin, vrasjen dhe keqtrajtimin e anëtarëve të UÇK-së”, deklaroi Pace.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij, Geci u pyet edhe për Shaban Jasharin por edhe për një intervistë të Rexhep Selimit ku flitej për luftëtarët e parë.

Pace: A është e vërtetë që Ademi, Samiu, Jetullahu, Sejdiu ishin ndër ushtarët e parë, luftëtarët e parë?

Geci: Po, është e vërtetë që janë disa ndër të parët, por i ka harruar Rexha [Rexhep Selimi] disa, që luftëtarë edhe para tërë këtyre edhe para Rexhës vet është Gani Geci. E ka harru gabim, ku me ditë çka u bë. E ka lënë anash. Familja Geci, vëllezërit Geci janë ndër të parët para gjithë këtyre, në tëra proceset. Edhe te Adem Jashari, edhe te lufta, edhe te paqja edhe gjithkund”, u përgjigj Geci.

Teksa u përgjigj në pyetjet e prokurorit të specializuar, Geci tha se ka qenë përgjegjës i proceseve të mëdha.

“Unë kam qenë një përgjegjës i shtetit të Kosovës, i Kushtetutës së Kaçanikut. Në nivel të shtetit të Kosovës, unë kam qenë ai përgjegjësi për Drenicë që tëra proceset e mëdha kanë kaluar nga unë. Jam personazh që i kam bartur përgjegjësitë për të gjitha edhe sot para jush e marrë përgjegjësinë për të gjitha ato që kam bërë. Kam dëshirë që edhe tjerët të marrin përgjegjësitë që kanë bërë”, deklaroi Geci.

Gjatë dëshmisë së tij, Geci tha se disa nga ish-krerët e UÇK-së që janë prezentë në gjykatore, e kanë përçarë popullatën e atëhershme shqiptare.

“Organizimi shtetëror, mbrojtja e Kushtetutës, lufta brenda sistemit tonë, çfarë e kishim ka qenë një drejtim që kemi qenë të tërë unik, të gjithë, 99 për qind të popullit të Kosovës kemi qenë në një vend. Edhe dikur momentin pas Jasharëve ka ardhur një grup prej jashtë që e përfaqësojnë disa që janë këtu, e disa kanë qenë brenda dhe na kanë përçarë popullatën në përgjithësi. Se në Kosovë kanë qenë dy grupe: Njëri për shtet, e tjetri për pushtet. Grupi që ka qenë për shtet jam unë në krye me presidentin Ibrahim Rugovën, po e mbaj përgjegjësinë për Drenicën, kurse grupi që ka qenë për pushtet janë disa këtu që po i shoh dhe do të na shpjegojnë pse, qysh, si, çka, e unë jam këtu që të ballafaqohem me ta”, u shpreh Geci.

Dëshmitari është pyetur nëse ka pasur ndonjë rast konkret që dikush nga LPK-ja ka thënë që Qendra e Këshillit të Emergjencave të ndryshonte, meqë e njëjta ishte në shtëpinë e Gecit.

“Pas familjes Jashari tentuan që të na likuidojnë familjen tonë, vëllain tonë dhe me e heq prej ndikimi në atë terren me rrena e shpifje që është turp, që mendoj që ata njerëz që e kanë shkruar komunikatën 59-të, duhet me ua bë ADN-në se mundem me qenë ‘qergash’ e jo shqiptarë”, tha Geci.

Dëshmia e Fadil Gecit filloi në seancë private por më pas u hap për publikun dhe tërë dëshmia e tij u dha pa masa mbrojtëse.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se dëshmia e Gecit pritet të zgjasë rreth dy ditë, ku prokuroria ka vlerësuar që i duhen dy orë për ta marrë në pyetje, ndërkaq ekipet e mbrojtjes kanë vlerësuar që i duhen shtatë orë kohë për intervistim.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020./kp

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA