Eurodeputeti Thomas Waitz i ka quajtur krejtësisht të papranueshme sulmet e djeshme kundër gazetarëve dhe ushtarëve të KFOR-it nga protestuesit serbë. Sipas tij, këto janë rezultat i politikave ento-nacionaliste të Aleksandër Vuçiqit.
Waitz theksoi se kriza aktuale në veri të Kosovës mund të shpërqendrojë nga problemet e Vuçiqit në vend, porse ka thënë se nga kjo nuk do të përfitojë as Serbia dhe as Kosova në planin afatgjatë. Prandaj, ai bëri thirrje për depërshkallëzim të menjëhershëm të situatës, shkruan KosovaPress.
“Sulmet e djeshme kundër gazetarëve dhe @NATO_KFOR-it nga serbët etnikë në veri të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Përshkallëzimi duhet të përfundojë menjëherë. Ne kemi nevojë për paqe dhe zgjidhje politike për krizën në veri të Kosovës. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Dialogun Beograd/Prishtinë”, ka shkruar ai.
Eurodeputeti ka apeluar edhe Partinë Popullore Evropiane (EPP) që t’i japë fund bashkëpunimit me Vuçiqin. Derisa bën të ditur se BE tashmë po diskuton një ngrirje të bisedimeve të pranimit me Serbinë.
“Këto përshkallëzime janë rezultat i politikave etno-nacionaliste të Aleksandër Vuçiqit dhe retorikës përçarëse. Edhe ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët janë bërë objektiv i kësaj gatishmërie për dhunë. I dënoj sulmet me termat më të fortë. Partia Popullore Evropiane (EPP) duhet t’i japë fund urgjentisht bashkëpunimit me Aleksandar Vuçiqin, kundër të cilit në Serbi po zhvillohen protesta masive. BE tashmë po diskuton një ngrirje të bisedimeve të pranimit me Serbinë”, ka thënë ai.