Me ditëlindjen e shtetit të Kosovës, ditëlindjen e ka edhe Flamuri i Kosovës. Në një konkurs i hapur në qershor 2007 për flamur, i cili do të ishte simboli shtetëror morën pjesë 993 konkurrentë. Nga të gjithë këta konkurentë, ishte Muhamer Ibrahimi ai i cili e kishte fituar garën për dizajnimin e flamurit dhe të stemës së Republikës së Kosovës, me të cilat simbole edhe u shpall Pavarësia e Kosovës.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, Muhamer Ibrahimi tha se ky flamur, është edhe dizajni i preferuar i tij.
“Flamuri e ka marrë formën, e ka marrë shkëlqimin, pra Kosova njihet me këtë flamur dhe padyshim që është dizajn jo vetëm i imi i preferuar, por është dizajn i përzgjedhur prej një komisioni që atëherë i ka bërë përzgjedhjen e simboleve dhe sportistët tanë, artistët tanë, përfaqësues të Kosovës tani veç i kanë dhënë shkëlqimin këtij flamuri dhe padyshim është dizajn i preferuar i imi”, tha Ibrahimi.
Ai tregoi se edhe në kohën para se të shpallej konkursi, kur po dihej se Kosova po bëhej shtet, artistë dhe krijues të ndryshëm kishin filluar të ideonin forma të ndryshme të flamurit.
Ndërsa, me t’u shpallur konkursi, Ibrahimi thotë se inspirimin dhe ideimin e këtij flamuri që sot e ka Kosova, i kishte marrë në bazë të kritereve që përmbante ky konkurs.
”Sa i përket Flamurit të Kosovës, kemi bërë prova para konkursit, kur është ditur që Kosova veç se po bëhet shtet, është përgatitur opinioni dhe Kosova duhet ta ketë një flamur tjetër. Ne si artistë edhe si krijues, kemi provuar forma të ndryshme të flamurit. Kohë më parë, para se të shpallet Konkursi, kemi mbajtur edhe ekspozita me forma të ndryshme, prova e dizajnë të ndryshme me flamuj, mirëpo sa i përket formës së këtij flamuri, konceptit të këtij, atëherë pas shpalljes së konkursit, kush e ka lexu konkursin, në bazë të atij, inspirimin ose idenë për formën e këtij flamuri e kemi marrë në bazë të konkursit, pa marrë parasysh që dëshira ose provat që i kemi pasur përpara, ose idetë tjera që i kemi pasur para konkursit, kanë qenë me një koncept tjetër dhe me do ngjyra tjera, mirëpo kjo formë tash si është, pas publikimit të konkursit, jo vetëm unë por edhe konkurrentët tjerë kemi filluar në bazë të këtij konkursi dhe flamuri është rezultat i atyre kritereve edhe i ideve e provave që i kemi pasur”, tregoi Ibrahimi.
Për të gjitha ata që munden që mos ta dinë domethënien e këtij flamuri, ai tregoi edhe njëherë se ngjyra e kaltër përfaqëson aspiratën e Kosovës për anëtarësim në institucionet euro-atlantike, ngjyra e verdhë përfaqëson pasurinë e Kosovës dhe yjet përfaqësojnë komunitetet që jetojnë në Kosovë. /atvlive.tv