Ernest Muçi po kalon një formë fantastike këtë sezon dhe po dëshmon se është një nga futbollistët më efektivë të Kombëtares shqiptare.
Sulmuesi shqiptar ishte protagonist absolut në fitoren 3-0 të Trabzonsporit ndaj Fethiyesporit, ndeshje e vlefshme për Kupën e Turqisë. Pas disa goditjeve nga distanca dhe një goli të anuluar për pozicion jashtë loje, Muçi zhbllokoi rezultatin në minutën e 69-të me një goditje spektakolare që surprizoi të gjithë.
Dhjetë minuta më vonë, ai dha asistin për golin e tretë, duke përforcuar një mbrëmje të jashtëzakonshme për ekipin e tij.
“Sigurisht që jam i lumtur që gjërat po shkojnë mirë për mua dhe për ekipin, që po fiton dhe po performon mirë. Kam besim te stafi dhe te të gjithë njerëzit përreth,” tha Muçi pas ndeshjes.
Në këtë sezon, 24-vjeçari ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë 3 asistime, duke ndihmuar Trabzonsporin të ëndërrojë për tituj. Aktualisht, skuadra turke ka grumbulluar 6 pikë pas tre ndeshjeve të Kupës dhe renditet e treta në kampionat, me 7 pikë më pak se lideri Galatasaraj.






