Ermal Krasniqi shpërblehet për paraqitjen fantastike, përfshihet në formacionin e javës në Turqi

Ermal Krasniqi po vazhdon të lërë gjurmë te Amedspori, ndërsa paraqitjet e tij të mira janë shpërblyer me një tjetër vlerësim në futbollin turk.
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës është përfshirë në formacionin më të mirë të javës së 10-të në Superligën e Turqisë, pas paraqitjes mbresëlënëse në fitoren 5-1 të Amedsporit ndaj Eyupsporit.
Reklamë
Krasniqi ishte ndër lojtarët më të dalluar të ndeshjes, duke zhbllokuar rezultatin që në minutën e 13-të. Reprezentuesi kosovar realizoi një gol të bukur me këmbën e majtë, duke i dhënë skuadrës së tij epërsinë e hershme.
Ai e nisi takimin nga minuta e parë dhe luajti për 55 minuta, ndërsa paraqitja e tij u vlerësua me notën 8.3 nga platforma e statistikave Sofascore.
Përveç golit të realizuar, 28-vjeçari regjistroi dy goditje në drejtim të portës, 43 prekje të topit dhe dy driblime të suksesshme nga po aq tentativa. Gjithashtu, ai fitoi shtatë duele gjatë minutave të kaluara në fushë.
Performanca e tillë i siguroi Krasniqit një vend në formacionin ideal të javës, ku është përzgjedhur në krahun e djathtë të mbrojtjes, me notën 8.3.
Krasniqi po përshtatet gjithnjë e më mirë në rolin e tij të ri, pasi këtë sezon te Amedspori po aktivizohet kryesisht si mbrojtës i djathtë, ndonëse gjatë karrierës ka luajtur kryesisht në pozita më të avancuara.
Në dhjetë ndeshje të zhvilluara në Superligën turke këtë edicion, ai ka kontribuar me një gol dhe dy asistime.
Ndërkohë, fitorja bindëse ndaj Eyupsporit ka pasur ndikim edhe në renditjen tabelare për Amedsporin. Skuadra e Krasniqit është ngjitur në vendin e dytë me 23 pikë, vetëm dy më pak se lideri Galatasaray.
Me formën që po kalon dhe kontributin e tij në skuadër, Ermal Krasniqi po dëshmon se mund të jetë një nga lojtarët kyç të Amedsporit në vazhdim të sezonit.
Reklamë









