Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar vendimin e fundit të Kushtetueses lidhur me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Hasani ka kritikuar interpretimet që sugjerojnë se ky vendim u jep deputetëve të komunitetit serb “veto absolute”, duke e cilësuar këtë si një keqkuptim.
“E drejta e vetos ka qenë një marrëzi e krijuar në retorikën e pushtetit të deridjeshëm”, tha Hasani.
Ai shtoi se Kushtetuesja ka theksuar qartë se seanca konstituive nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga deputetët serbë, por kjo nuk nënkupton asnjë veto të veçantë për ta.
“E drejta e vetos mund të ekzistojë te amendamentet kushtetuese dhe te ligjet e veçanta për të drejtat e komuniteteve. Por edhe aty, shumica absolute vendos kushtet. Ushtria e Kosovës është formuar me ligje pa një amendament kushtetues… Çdo përpjekje për të krijuar gjendje jokushtetuese dhe më pas pretenduar ‘drejta absolute’ është e paqëndrueshme juridikisht”, theksoi Hasani.
Ai përmendi gjithashtu shembullin e zgjedhjes së Dimal Bashës, duke thënë se po ashtu duhet gjetur një zgjidhje për këtë çështje, duke respektuar procesin dhe votën, pavarësisht presioneve politike.





