Gazetari italian Roberto Saviano ka paralajmëruar për fuqizimin e kartelit meksikan Jalisco Nueva Generación (CJNG), duke e cilësuar atë si një “shtet brenda shtetit” falë prodhimit masiv të fentanylit, korrupsionit dhe përdorimit sistematik të dhunës.
Në një intervistë të fundit, Saviano foli për rolin dhe ndikimin e udhëheqësit të kartelit, Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, duke e përshkruar atë si figurën që transformoi mënyrën e operimit të organizatës kriminale. Sipas tij, “El Mencho” e zhvendosi fokusin nga drogat tradicionale me bazë opiumi drejt opioideve sintetike, veçanërisht fentanylit, i cili prodhohet në laboratorë me përbërës kimikë që fillimisht vinin nga Kina e më pas edhe nga India.
Saviano theksoi se, sipas të dhënave të Drug Enforcement Administration (DEA), karteli mund të gjenerojë deri në 50 miliardë dollarë në vit. Ai investoi në punësimin e kimistëve dhe në forcimin e strukturës së brendshme, duke e shndërruar CJNG-në në simbol të “gjeneratës së re” të trafikut të drogës.
Sipas Savianos, fuqia financiare u ka mundësuar narkotrafikantëve të ndërtojnë një “anti-shtet” në territore të tëra të Meksikës, duke kontrolluar ekonominë lokale, sigurinë dhe madje edhe konsensusin shoqëror. “Me këto para mund të korruptosh këdo”, theksoi ai, duke shtuar se mesazhi i kartelit është i qartë: paqja ekziston vetëm nëse ata e lejojnë.
Ai rikujtoi se pas arrestimit të rivalit të tij, Joaquín Guzmán, i njohur si “El Chapo”, balanca e forcave ndryshoi, por strategjia për prodhimin dhe shpërndarjen e fentanylit mbeti e njëjtë. Sipas Savianos, kartelët nuk synojnë pushtetin formal apo grusht shteti, por rinegocimin e vazhdueshëm të ekuilibrave me shtetin, duke e detyruar atë të negociojë nën presion dhune.
Ai përmendi edhe rastin e arrestimit të Ovidio Guzmánit, djalit të El Chapo-s, ku dhuna e shpërthyer në terren detyroi autoritetet ta lirojnë përkohësisht për të shmangur përshkallëzimin, duke e cilësuar këtë si shembull të përdorimit të kryengritjes si mjet presioni.
Sa i përket rolit të Shteteve të Bashkuara, Saviano tha se presidenti amerikan Donald Trump ka ushtruar presion për të frenuar trafikun e fentanylit drejt SHBA-së, megjithëse roli i tij në operacionet konkrete mbetet i paqartë.
Gazetari italian paralajmëroi se vetëm ndërhyrjet ushtarake nuk mjaftojnë për të shkatërruar sistemin ekonomik që mban gjallë kartelët. Sipas tij, ndërhyrja e jashtme nuk e rrëzon strukturën financiare dhe rrjetin e aleancave që i mundëson këtyre organizatave të mbijetojnë dhe të përshtaten.
Në fund, Saviano ngriti shqetësimin edhe për sigurinë e turistëve në Meksikë, duke theksuar se “blokadat narco” përdoren për të përhapur terror dhe për të demonstruar forcën e kartelëve ndaj shtetit dhe popullatës.






