8.8 C
Pristina
Wednesday, February 4, 2026

Ekspozitë për krimet ndaj shqiptarëve në veri hapet në Mitrovicë

Në 26-vjetorin e “Natës së Tmerrit”, Komuna e Mitrovicës së Jugut ka hapur një ekspozitë me fotografi që dokumentojnë krimet e kryera ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të qytetit gjatë dhe pas luftës, raporton Ekonomia Online.

Në këtë aktivitet përkujtimor, kryetari i komunës, Faton Peci, ka kërkuar që institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë të veprojnë sa më shpejt ndaj, siç u shpreh ai, organizatorëve dhe protagonistëve të këtyre krimeve. “Atëherë, në vazhdën e aktiviteteve në shënim të datës 3 dhe 4 shkurt, që njihet në Mitrovicë po besoj edhe në të gjitha trojet shqiptare si ‘Nata e Tmerrit’, ne po vazhdojmë me aktivitete që e pasqyrojnë gjithë pjesën e krimeve të llahtarshme që kanë ndodhur në Mitrovicë gjatë viteve të 90-ta, gjatë luftës dhe pas luftës. Unë mendoj që institucionet e rendit dhe drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare duhet që sa më parë aktorët të cilët kanë qenë organizatorë dhe protagonistë të këtyre krimeve të llahtarshme, sa më parë të jenë para sistemit të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, tha ai.

Ai shtoi se aktivitetet e shënimit të datave 3 dhe 4 shkurt po vazhdojnë për të pasqyruar krimet e rënda të ndodhura në Mitrovicë në vitet ’90, gjatë luftës dhe pas saj, duke theksuar se autorët duhet të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. “Gjithë këto fotografi që ne i pamë në ekspozitë, në këtë ekspozitë, për shkak se për herë të parë kemi aktivitete të këtij niveli: nga pllaka, ekspozita, po edhe aktivitete të tjera me qytetarë shqiptarë në veri, në shtëpitë e tyre, po edhe në fund ndezja e qirinjve. Unë mendoj që çdoherë është obligim institucional, nga niveli komunal edhe niveli qendror – për çka tashmë e kanë dëshmu me angazhim – që qytetarët shqiptarë po edhe secila etni tjetër në veri të jetojë në rrethana të lira dhe normale. Thjesht të përkujtojmë këto krime në mënyrë që asnjëherë të mos harrojmë”, tha ai.

Peci theksoi se qytetarët shqiptarë në veri të Mitrovicës janë vrarë, plagosur dhe dëbuar gjatë planit famëkeq të spastrimit etnik në pjesën veriore të qytetit. Ai shtoi se shqiptarët, që asnjëherë nuk duhet harruar se kanë qenë shumicë edhe para luftës në Kosovë, kanë pësuar dhunë të papërshkrueshme: vrasje të civilëve të pafajshëm, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq. “Kështu që krimi i realizuar ndaj qytetarëve civilë, të pafajshëm, ndaj grave, fëmijëve, ndaj pleqve, po edhe secilit qytetar, duhet minimalisht të kujtohet e më pas nga mekanizmat e drejtësisë duhet ta japin verdiktin dhe përgjigjen e merituar”, shtoi ai.

Ai gjithashtu përmendi procesin e rikthimit të shqiptarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre në veri, të cilin e lidhi me suksesin e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. “Unë di dhimbje prej kësaj perspektive që gjithë qytetarët shqiptarë të veriut, të cilët kanë qenë të detyruar që të shpërngulen nga pjesa veriore, një numër i konsiderueshëm i tyre kanë qenë të detyruar që të shesin pronat, banesat dhe shtëpitë e tyre. Sot kemi një trend totalisht ndryshe. Prej depërtimit edhe dëbimit të rreth 12 mijë qytetarëve, tash ka filluar procesi i rikthimit në shtëpitë, banesat dhe në pronat e tyre. Kjo për shkak të këmbëngulësisë, vizionit dhe patriotizmit të pashoq të Kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij”, tha ai.

Peci theksoi se Komuna do të vazhdojë të organizojë aktivitete përkujtimore edhe në të ardhmen në mënyrë që sakrifica e shqiptarëve për liri të mos harrohet. “Ne si komunë këto aktivitete synojmë që vitet e ardhshme vetëm se të pasurohen. Jo vetëm që do të ketë përkujtim, por do të pasurohen me ngjarje dhe aktivitete të ndryshme të cilat e shënojnë sakrificën edhe gjakun e derdhur të shqiptarëve që e kanë paguar edhe pas çlirimit edhe prezencës së KFOR-it në veri, që fatkeqësisht në prezencën e tyre u realizuan këto krime. Kështu që jo vetëm që do t’i trajtojmë, po edhe familjarët, edhe secila familje e veriut do të trajtohet edhe nga komuna – flas për komunën të cilën e drejtojmë ne – po njëkohësisht në koordinim me qeverinë, sikurse ka qenë edhe procesi i rindërtimit të shtëpive. Ne do të vazhdojmë koordinimin dhe të gjitha kërkesat e tyre të cilat ata me të drejtë i adresojnë, do të gjejnë përkrahje edhe në komunë edhe në qeveri”, tha ai.

26 vjet më parë, ngjarja e njohur si ‘Rojat e urës’ pati pasoja tragjike: u vranë dhjetë shqiptarë, përfshirë fëmijë, gra dhe pleq, u plagosën të tjerë dhe rreth 12 mijë shqiptarë u detyruan të largohen nga pjesa veriore duke lënë pas shtëpitë e tyre të djegura dhe pronat e braktisura.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA