Përgatiti: Haris Ademi
As në takimin e tretë në Bruksel, të enjten, Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e dinarit.
Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq e kanë fajësuar njëri-tjetrin për mungesë të vullnetit për të gjetur zgjidhje. Kurse ndërmjetësuesi nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajcak, tha se janë kapërcyer disa boshllëqe mes propozimeve të të dyja palëve. Ndërsa, do të ketë një takim të katërt, pas rreth dy javësh.
Këtë herë, BE-ja ka dhënë një propozim të vetin, për të cilin Bislimi tha se është pajtuar vetëm Kosova.
“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçak ka nxjerrë një propozim të konsoliduar, për të cilën ne besojmë se është konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje, e cila më së shumti i shkon për shtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së. Pala serbe nuk ka qenë e gatshme të reflektojë këtë propozim dhe ka kërkuar kohë shtesë”, tha Bislimi.
Kryenegociatori kosovar, madje, e akuzoi atë serb se e luajti rolin e avokatit të Bankës Postare Serbe, duke kërkuar licencimin e saj.
Në anën tjetër, Petkoviq tha se ishte konstruktiv.
“Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës”, tha Petkoviq.
Takimi i ardhshëm në Bruksel, i katërti me radhë për dinarin, sipas Bislimit, do të jetë i fundit për këtë temë, prandaj duhet arritur marrëveshje. Kurse Petkoviq tha se kjo çështje do të zgjidhej, po të ishte themeluar Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Meqë, takimet e deritashme kanë rezultuar pa sukses, Lajcak shkroi në X se planifikon t’i vazhdojë diskutimet për rregulloren e Bankës Qendrore, bazuar në idetë e BE-së për kompromis.