Vetëvendosja ka edhe pesë ditë kohë për të siguruar shumicën parlamentare për votimin e Qeverisë Konjufca, por partitë opozitare po qëndrojnë të palëkundura: zgjedhje të reja. PDK dhe LDK konfirmojnë se nuk janë kontaktuar fare nga LVV, ndërsa AAK thotë se është kontaktuar, por ka refuzuar takimin.
Afati për votimin e kabinetit të propozuar nga Glauk Konjufca po i afrohet fundit, ndërsa opozita insiston se nuk ka vullnet për bashkëpunim. Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, thonë se nuk kanë marrë asnjë ftesë për bisedime dhe e shohin opsionin e vetëm politik mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
AAK ka konfirmuar se ka pasur kërkesë për takim, por e ka refuzuar.
“Ka pasur kërkesa për takim, por nuk e shohim të arsyeshme të shkojmë. Nuk funksionon me logjikën ‘qitma votën se e du Kosovën’”, tha Ramush Haradinaj.
Edhe LDK deklaroi se nuk ka pasur asnjë kontakt nga LVV për votimin e mandatarit të dytë. Deputeti Alban Zogaj akuzoi Vetëvendosjen se po kërkon kohë, jo shumicë.
“Është e njëjta qasje si me mandatarin e parë. Nuk ka tentativë reale për krijimin e institucioneve”, theksoi ai.
Nisma Socialdemokrate, ndërkohë, mbetet po ashtu e vendosur për zgjedhje:
“Nisma nuk ka votë për askënd. Situata është thelluar dhe zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje”, thuhet në reagimin e tyre.
Edhe PDK një ditë më parë kishte bërë të ditur se nuk ka pasur asnjë kontakt me Vetëvendosjen lidhur me votimin e Qeverisë.
Sipas hulumtuesit të IKD-së, Naim Jakaj, gjasat për formimin e qeverisë së re janë minimale, pasi Konjufca nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret për të siguruar votat.
“Kabineti është praktikisht i njëjtë me atë të Kurtit dhe pa aleanca të reja nuk pritet rezultat ndryshe”, vlerësoi ai.
Vetëvendosja nuk ka sqaruar nëse ka siguruar ndonjë votë më shumë sesa në tentimin e parë. Nëse shumica nuk arrihet, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit.







