Në komision u thirr për të raportuar për përmbushjen e obligimeve për marrëveshjet e stabilizim-asocimit, por zv.kryeministri Besnik Bislimi, u përball më pyetje për çështje krejtësisht të tjera.
Arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, çoi në përballje zëvendëskryeministrin Bislimi me deputeten e PDK-së, Blera Deliu – Kodra.
Sipas Bislimit, Prokuroria po merret vetëm me Krasniqin e jo me dhjetëra raste të tjera, të deponuara si keqpërdorime nga menaxhmenti i KEK-ut.
“Rastet e fundit, shih edhe rastet në KEK dhe arrestimet e fundit në KEK, ku ne kemi përballje të rëndë të institucioneve të Kosovës me korrupsion dhe çka është edhe më e rëndë, kemi një përpjekje të qeverisë që t’i gjykojë institucionet e drejtësisë, prokurorinë e gjykatat”, tha Deliu-Kodra.
“Ne mendojmë se ka shumë korrupsion në KEK dhe jemi të vetëdijshëm që diku 30 raste të tilla, janë deponuar në Prokurori nga ana e menaxhmentit të KEK-ut, por ja që nuk ka interes politik të një institucioni që është politik, si është KPK-ja e nuk merret me këto raste”, tha Bislimi.
Debati mes tyre vazhdoi edhe më tej, por për një çështje tjetër.
Sipas Deliu-Kodrës, deklarata për personat e zhdukur e dakorduar së fundmi mes Kosovës e Serbisë, është e papranueshme.
“Shqetësimi im është edhe Deklarata e dakorduar e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vucic për personat e pagjetur. Përdorimi i togfjalëshit “të zhdukurit me forcë”, në vend të “personave të zhdukur me dhunë” natyrisht që njëson viktimën dhe xhelatin dhe për ne ka qenë shqetësim”, tha Deliu-Kodra.
“Opozita në Kosovë është i vetmi grupacion që mendon se atje po bëhet njësimi i xhelatit me viktimën, pse po u përdorka termi i “personave të zhdukur me forcë”. Cila shkronjë e fjalisë “personat e zhdukur me forcë” çon në njësim të xhelatit dhe viktimës?”, tha Bislimi.
Në komision nuk u la pa u përmendur edhe çështja e ambasadorit Martin Berishaj, për të cilin thuri lavde zv.kryeministri.
“Nëse flisni për krimin dhe korrupsionin, e keni parë, e keni rastin konkret që sot ta përfaqëson shtetin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj”, tha deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
“Rasti i Martin Berishajt është konstrukt artificial nga subjektet politike në Kosovë. Nuk ka asnjë proces gjyqësor të nisur ndaj tij, është e paturpshme se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar si Martin Berishaj, me shpresë se mund të nxirret ndonjë beneficion politik, apo përfitim politik”, tha Bislimi.
Krejt në fund, Bilsimi foli edhe për atë që u thirr në Komision, teksa tha se për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit gjatë vitit të kaluar, prej 235 masave janë zbatuar 136. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: