Procesi i numërimit të votave të ardhura me postë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025 po shkon drejt përmbylljes, ndërsa kanë mbetur edhe 25 kuti për t’u numëruar.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri tani janë numëruar 120 nga gjithsej 145 kuti, që përbëjnë 82.76 për qind të votave me postë.
Rezultatet aktuale tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje, kryeson me 73.18 për qind të votave, apo 25,828 vota.
Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.02 për qind ose 3,536 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 8.77 për qind apo 3,096 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 3.91 për qind të votave.
Nga KQZ është bërë e ditur se numërimi po vazhdon sipas planit dhe se rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përfundimit të plotë të procesit dhe verifikimeve përkatëse.






