Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Hessen të Gjermanisë, ku një grua 45-vjeçare humbi jetën, ndërsa dy vajzat e saj të mitura mbetën të lënduara rëndë.
Sipas policisë, aksidenti ndodhi rreth orës 18:00 në rrugën Burgsolmser Straße, mes qyteteve Leun dhe Burgsolms.
Gruaja po udhëtonte me një automjet Smart Forfour, së bashku me vajzat e saj 10 dhe 12 vjeçe, në drejtim të Leun-Lahnbahnhof.
Në një moment, një Mercedes i drejtuar nga një 18-vjeçar hyri në korsinë e kundërt dhe u përplas ballë për ballë me makinën e familjes, transmeton Klankosova.tv. Dyshohet se i riu kishte humbur kontrollin e veturës për shkak të shpejtësisë së madhe.
Përplasja ishte aq e fortë, sa Smart-i u hodh anash rrugës dhe përfundoi i përmbysur në çati, raportojnë mediat gjermane.
Dy vajzat dhe drejtuesi 18-vjeçar i Mercedesit u nxorën, ndërsa për 45-vjeçaren u desh ndërhyrja e zjarrfikësve.
Gruaja, e cila kishte pësuar lëndime shumë të rënda, u transportua me helikopter në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.





