Para disa ditësh u publikua në media një video ku një qytetar në Gjilan keqtrajtohet gjatë arrestimit nga Policia. Dy zyrtarë policorë shihen duke e goditur viktimën dhe duke i thënë “qen”, “i poshtër”, “marre duhet me të ardhë”.
Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë për Express se rasti është duke u hetuar dhe se dy policë janë suspenduar.
Ata dyshohen për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike”.
“IPK ju konfirmon se është duke hetuar këtë rast. Në mbrëmjen që ka ndodhur incidenti, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes bazuar në kërkesën nga prokurori kujdestar. IPK ka rekomanduar suspendimin për dy zyrtarë policorë të dyshuar që gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike”. Bazuar në rekomandimin nga IPK të njëjtit janë suspenduar nga Policia e Kosovës kurse rasti trajtohet në procedurë të rregullt”, tha IPK në në një përgjigje.






