Boksieri britanik me origjinë nigeriane, Anthony Joshua, është përfshirë në një aksident të rëndë rrugor në Nigeri, ku dy persona kanë humbur jetën, raportojnë mediat britanike.
Ngjarja ndodhi në zonën e Makun, përgjatë autostradës së ngarkuar Lagos-Ibadan Expressway në shtetin Ogun. Automjeti ku ndodhej Joshua u përplas me një makinë tjetër, ndërsa rrethanat e aksidentit janë ende në hetim.
Joshua, 36 vjeç, ka pësuar lëndime të lehta si pasagjer, ndërkohë që dy persona humbën jetën në vendngjarje. Ekipet e emergjencës u mobilizuan menjëherë për të ndihmuar të lënduarit dhe për të menaxhuar situatën.
Incidenti ndodhi vetëm disa ditë pasi Joshua u përball me Jake Paul në një ndeshje të bujshme boksi, ku korri fitore. /ATVLIVE.TV








