KF Dukagjini ka konfirmuar zyrtarisht përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Arsim Thaçi, duke i dhënë fund një periudhe të suksesshme që kulmoi me fitimin e Kupës së Kosovës.
Nën drejtimin e Thaçit, skuadra nga Klina shkroi një nga faqet më të rëndësishme të historisë së saj, duke triumfuar në finalen e Kupës ndaj Ferizajt dhe duke siguruar një vend në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Megjithatë, aventura evropiane përfundoi shpejt, pasi Dukagjini u përball me një kundërshtar të fortë si Lugano, që e eliminoi në raundin e dytë kualifikues.
Përmes një komunikate zyrtare, klubi bëri të ditur se ndarja me trajnerin është bërë me marrëveshje të dyanshme. Bashkë me Thaçin largohen edhe ndihmëstrajnerët Valmir Bytyqi, Ahmet Haliti dhe Lekë Termkolli.
“Drejtuesit e klubit shprehin mirënjohjen më të thellë për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e stafit teknik gjatë periudhës së bashkëpunimit, duke vlerësuar rolin e tyre në sukseset e arritura nga skuadra.”
Në fund të njoftimit, Dukagjini i ka falënderuar trajnerët për punën e bërë dhe u ka uruar suksese në vazhdimin e karrierës së tyre, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal.
Ndërkohë, sipas informacioneve të fundit, drejtimin e skuadrës pritet ta marrë Armend Dallku. Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës e njeh mirë ambientin e klubit, pasi edhe më parë ka qenë në krye të pankinës së Dukagjinit.





