Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje si dhe njëri nga të mbijetuarit e masakrës në Burgun e Dubravës, Enver Dugolli, ka bërë kërkesë publike për nisjen e hetimit të kësaj masakre nga Gjykata Speciale.
Në një konferencë për media, të shtunën, në Kuvendin e Kosovës, ai u shpreh se para një jave iu ka drejtuar Gjykatës Speciale me kërkesë zyrtare që të fillojë hetimet për këtë krim.
“Nëse Gjykata Speciale nuk është një etnike, atëherë nuk ka arsye që të mos kryhen hetimet për këtë krim”, tha ai.
Deputeti shtoi se ka dëshmi të mjaftueshme për t’u ngritur aktakuza në lidhje me këtë masakër dhe se kërkesa e tij është ndaj prokurorit special të Gjykatës Speciale.
“Kërkesa ime është ndaj prokurorit special të Gjykatës Speciale që të nisë hetime sepse kam dëshmi të mjaftueshme për t’u zhvilluar hetimet dhe për t’u ngritur aktakuza në lidhje edhe me këtë masakër”, tha tutje Dugolli.
Ai theksoi se është në dorën e prokurorit të vendosë nëse do të fillojë hetime në lidhje me këtë masakër dhe të dëshmojë nëse është apo jo kjo gjykatë një etnike.
“Faktet janë se në atë masakër janë ekzekutuar 116 të burgosur dhe një i zhdukur sikurse Ukshin Hoti. Janë dëshmitarët që ende janë gjallë dhe plagët e tyre flasin vet. Madje këta dëshmitarë nuk kanë nevojë as për mbrojtje të identitetit”, theksoi Dugolli, i cili është njëri nga dëshmitarët e kësaj masakre.
Ai ka thënë se të gjithë dëshmitarët e kësaj masakre janë të gatshëm të dëshmojmë.
“I mbaj mend edhe emrat që i kanë urdhëruar dhe kryer këto krime”, nënvizoi Dugolli.