Dua Lipa ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh kundër Samsung, duke pretenduar se kompania e elektronikës ka përdorur fotografinë e saj për të shitur televizorë pa leje dhe pa kompensim.
Sipas padisë, të paraqitur të premten, Samsung ka përdorur imazhin e Lipës në paketimin e kartonit të televizorëve të saj duke filluar nga viti i kaluar.
Kur këngëtarja është vënë në dijeni për këtë, ajo ka kërkuar që përdorimi i imazhit të saj të ndalet. Në padi thuhet se kompania ka qenë mospërfillëse dhe e pandjeshme dhe e ka refuzuar kërkesën, shkruan Variety.
“Fytyra e znj. Lipa është përdorur në mënyrë të dukshme për një fushatë masive marketingu për një produkt konsumator pa dijeninë e saj, pa konsideratë dhe pa asnjë kontroll apo kontribut nga ana e saj. Znj. Lipa nuk e ka lejuar dhe nuk do ta kishte lejuar këtë përdorim”, thuhet në dokumentin e padisë.
Padia gjithashtu pretendon se Samsung ka përfituar duke krijuar përshtypjen se Lipa e mbështet produktin, gjë që sipas saj nuk është e vërtetë.
Sipas dokumenteve, Lipa zotëron të drejtat e autorit për fotografinë e përdorur, e cila është bërë në prapaskenë gjatë Festivalit Austin City Limits në vitin 2024.
Në padi përmenden edhe reagime në rrjetin social X (ish-Twitter), ku disa përdorues sugjeronin se imazhi i saj ndikoi në blerjet e televizorëve Samsung. Një komentues shkruante se e kishte blerë produktin pasi kishte parë fytyrën e saj në paketim, ndërsa një tjetër deklaronte se do ta blinte televizorin vetëm për shkak të Dua Lipës.
Dua Lipa files $15 MILLION lawsuit against Samsung alleging the manufacturer used her face to sell TVs without compensation or permission. pic.twitter.com/ta6SWUmubH
— Pop Crave (@PopCrave) May 10, 2026
Padia thekson gjithashtu se Lipa ka ndërtuar një “markë premium” dhe është shumë selektive në marrëveshjet e saj të marketingut dhe sponsorizimeve.
Ajo pretendon shkelje të të drejtave të autorit, shkelje të ligjit të Kalifornisë për të drejtën e publikimit, shkelje të Aktit Lanham dhe pretendime për markë tregtare. Çështja është ngritur në Distriktin Qendror të Kalifornisë.
Samsung nuk ka dhënë ende një koment zyrtar lidhur me padinë.






