Drita rikthehet sot në skenën evropiane, ku do të përballet me skuadrën malteze Floriana në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Takimi do të luhet në stadiumin “Centenary” në Ta’ Qali, me fillim nga ora 19:30, ndërsa kampionët e Kosovës synojnë të hedhin një hap të rëndësishëm drejt raundit të tretë.
Skuadra gjilanase udhëton në Maltë me objektivin për të siguruar një rezultat pozitiv si mysafire, që do ta vendoste në një pozitë të favorshme para ndeshjes së kthimit. E motivuar nga përvoja e fituar në garat evropiane gjatë viteve të fundit, Drita beson se ka cilësinë e nevojshme për të kaluar këtë pengesë.
Në anën tjetër, Floriana do të kërkojë ta shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve për të marrë epërsinë para sfidës së kthimit, duke e bërë këtë duel një përballje të hapur për të dyja skuadrat.
Atmosfera në kampin bardhekaltër është pozitive, ndërsa synimi mbetet i qartë – vazhdimi i rrugëtimit në Evropë dhe përfaqësimi sa më dinjitoz i futbollit kosovar.
Fituesi i këtij dueli do të sigurojë një vend në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Kosovë.





