Ronald Rowe, drejtori në detyrë i agjencisë së Shërbimit Sekret amerikan dhe nëndrejtori i FBI-së, Paul Abbate, po dëshmojnë në një seancë të përbashkët të dy komisioneve të Senatit mbi atentatin ndaj ish Presidentit Trump. Në qendër të interesit të senatorëve janë mangësitë e masave të sigurisë në orët para atentatit.
Drejtori në detyrë i agjencisë tha se ai e konsideronte “të pajustifikueshme” mungesën e agjentëve të sigurisë në çatinë nga ku sulmuesi qëlloi në drejtim të ish-presidentit Trump.
Rowe tha se kishte qenë së fundmi në vendngjarje në Batlër të Pensilvanisë.
“Ndjeva turp nga ajo që pashë. Si oficer karriere dhe punonjës prej 25 vjetësh i Shërbimit Sekret nuk mund të kuptoj se përse në atë çati nuk kishte agjentë”, u shpreh ai.
Ai po ashtu fajësoi autoritetet lokale që nuk kishin ndarë me autoritetet federale të dhëna që ai i cilësoi si jetike.
Sipas tij, ata nuk kishin ndarë informacionin se një person i armatosur, ishte pikasur mbi një çati pranë vendit të tubimit disa minuta para se sa të ndodhte sulmi i 13 korrikut.
“Oficerët lokalë nuk e ndanë këtë informacion, e mbajtën të izoluar një të dhënë të tillë”, tha ai. “Për mua është shumë shqetësuese që nuk e morëm këtë informacion aq shpejt sa duhej. Ne nuk e dinim se po ndodhte një incident”, tha ai.
Ndërkohë, nën drejtori i FBI-së Paul Abbate tha se profili në median sociale që besohet se i përket autorit Thomas Matthew Crook tregon se ai përkrahte dhunën politike dhe përmbajtje anti-semite dhe kundër emigracionit.
Postimet ishin bërë në vitet 2019 dhe 2020 periudhë që ai ka qenë në shkollë të mesme.
Ish drejtoresha e Shërbimit Sekret Kimberly Cheatle dha dorëheqjen javën e kaluar pas kritikave të shumta të ligjvënësve, raporton VOA.





