Përgatiti: Haris Ademi
Kompania e telefonisë mobile “Telekom Srbija” thotë se ka arritur të gjejë rrugë dytësore për ta rikthyer sinjalin tek pesë mijë përdorues, serbë të veriut.
Valët u ndërprenë për shkak të prishjes së stacionit bazë në çatinë e komunës së Leposaviqit, për çka punëtorët e MTS ishin ankuar se nuk i ka lënë të intervenojnë, kryetari Lulzim Hetemi.
Për këtë veprim, drejtori i Telekom Srbija, Vladimir Luçiq, e akuzoi Hetemin për pengim të punës në baza etnike.
“Kemi bërë kallëzim penal kundër Lulzim Hetemit, sepse e ka keqpërdorur pozitën zyrtare. Ai ka dëmtuar pronën private dhe me dashje ka ndërprerë sinjalin në celularët e qytetarëve, vetëm sepse janë serbë. Dhe ai në fakt ndërpret sinjalin dhe merr pajisje, vetëm sepse ne jemi kompani serbe. për këtë i kemi informuar edhe ambasadat dhe bashkësinë ndërkombëtare”, tha Luçiq.
Nga komuna e Leposaviqit nuk dhanë komente për ATV-në lidhur me këtë çështje.
Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje më 2013 lidhur me komunikacionin, në të cilën përmendet autorizimi i përkohshëm i një kompanie, deri sa të bëhet licencimi i plotë nga autoritetet e Kosovës.
Në këtë rast, politologu Fidan Ukaj vlerëson se marrëveshja e Brukselit nuk është jetësuar.
Ukaj thotë se synimi i Serbisë është që ta shtojë këtë temë në diskutimet në Bruksel.
Pas ardhjes së Hetemit në pozitën e kryetarit, në komunën më veriore të Kosovës është përforcuar sinjali i operatorit të telefonisë mobile “Vala”.