Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve që u arrestuan në aksionin “Mega”.
Sipas PSRK-së, të dyshuar në këtë rast për krim të organizuar, shpëlarje parash e vepra tjera penale, janë Spartak Dërmaku, Blerim Krasniqi dhe Arian Alijaj, ndërkaq seanca dëgjimore pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë
Në Dosjen e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se Arian Alijaj, Spartak Dërmaku, Blerim Krasniqі, dyshohen se nga data e pacaktuar e deri më 9 qershor 2026, në territorin e Zvicrës, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, dhe shteteve tjera, me dashje dhe me dijeni qoftë të qëllimit dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer vepra penale të “Mashtrimit”, “Detyrimit”, “Kanosjes” dhe “Shpëlarjes së Parave”, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të një dobie financiare, në mënyrë aktive kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit të organizuar të përbërë nga të lartcekurit.
Sipas PSRK-së, veprimtaria kryesore e grupit të organizuar ishte mashtrimi dhe detyrimi i të dëmtuarve, ku fillimisht e vënë në lajthim tani të dëmtuarin F.H., me të cilin fillimisht takohet (nuk specifikohet cili i dyshuar) me të, me qëllim që të blejë nga i njëjt “Bitcoin” dhe “USD”, për çka edhe i dëmtuari në emër te personit juridik “Richard Efis/Amfico S.A” me seli në Zvicër, në përputhje me rekomandimet e vartësit e tij e ndonjëherë edhe bashkë me të, nga ky grup ka blerë paratë virtuale “Bitcoin” dhe “USD”.
Andaj, thuhet se i dëmtuari dhe pronari i firmës kanë kërkuar nga të pandehurit që për këtë transaksion dhe këto blerje të pajisen me kuponë fiskalë, mirëpo të pandehurit i kanë vënë në lajthim të dëmtuarit, ku jo vetëm qe nuk i kanë pajisur me kuponë fiskal, për më tepër kanë krijuar llogari bankare fiktive, ashtu që në momentin kur i kanë pranuar të hollat pasi i kanë tërhequr llogaritë e njëjta i kanë deaktivizuar.
Më tej, thuhet se me të vërejtur një situate tillë, i dëmtuar F.H., ka shkuar në Shkup me qëllim që të sqarohej me të pandehurin Median Abazi, i cili pasi është takuar në zyrat e firmës “Trezor X”, i ka kërkuar të dëmtuarit kohë për sigurimin e kuponëve fiskalë për blerje të parave virtuale, e që pas kthimit të tij në Zvicër të dëmtuarit i është kërkuar që mos të vazhdojë t’i kërkojë për shkak se i pandehuri Median nuk mund t’i sigurojë ato fatura.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, në muajin shtator të vitit 2023, kur i dëmtuari kishte ardhur për pushime në Kosovë, të pandehurit i kishin shkuar në shtëpinë e prindërve të tij, e bashkë me ta kishte qenë edhe një person me emrin Gani nga Shqipëria, kurse pas disa ditësh të pandehurit saktësisht i pandehuri F.K së bashku me personin tani për tani të paidentifikuar Gani nga Shqipëria, me veturë e kishin marrë të dëmtuarin dhe e kishin dërguar në Prishtinë.
Në momentin kur kanë arritur në lagjen “Tophane” në Prishtinë, thuhet se të dëmtuarit i ishte kërkuar që të zbresë nga vetura, e kur ka zbritur i dëmtuari, të pandehurit Median Abazi, Arian Aliaj, si dhe persona tjerë, kanë tentuar që ta marrin të dëmtuarin me dhunë, mirëpo ai ka filluar që të bërtasë duke kërkuar ndihmë. Por, thuhet se të pandehurit e kanë futur me forcë në veturë, ndërkaq të pandehurit kanë vazhduar që ta godasin me grushte dhe shqelma.
Ndërkaq, sipas PSRK-së, për një moment njëri nga të pandehurit ka kërkuar nga tani i dëmtuari që “deri nesër ti sjellë 1 milion euro e në të kundërtën nëse nuk i sjellë “kena me të vra si ata dy personat në Shkup, por ty jo me allti por ta heqi kokën me thikë, ty dhe familjes tënde“, duke vazhduar përsëri pas disa ditësh që të shkojnë fizikisht te shtëpia e të dëmtuarit dhe e po ashtu edhe ta kontaktojnë përmes telefoni duke e kanosur me fjalët: “paret duhesh me na dhanë dhe rastin mos e raporto në polici edhe me tregu çka punojmë na se këna me të vra ty dhe familjen tande“. Me këto veprime, thuhet se tek i dëmtuari kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë.
Andaj, me këtë, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” sanksionuar nga neni 277, par.1 të Kodit Penal, lidhur me veprat penale “Mashtrimi” nga neni 323, par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së, dhe “Detyrimi” nga neni 328, par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Në pikën e dytë, dyshohet blerim Blerim Krasniqi, ku thuhet që në kuadër të bashkëpunimit juridik-ndërkombëtar me autoritet gjermane dhe nga zbatimi i masave të veçanta hetimore, veçanërisht nga ekzaminimi i pajisjeve të të pandehurit Krasniqi, ekziston dyshimi i bazuar se pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm ka mbajtur në posedim armë të llojeve të ndryshme me qëllim të realizimit të veprimtarisë së grupit kriminal si në dispozitivin e parë të kësaj kërkese. Gjithashtu, dyshohet se ka blerë, mbajtur në posedim, shitur apo shpërndarë edhe substanca narkotike pa autorizim.
Me këtë, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” nga neni 364 të KPRK-së, dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 të KPRK-së.
Në pikën e tretë, dyshohen Dërmaku, Krasniqi dhe Alijaj, ku thuhet se nga data e pavërtetuar e deri në arrestimin e tyre më 9 qershor 2026, kanë vepruar në bashkëkryerje me një plan të përbashkët ku me dashje kanë pranuar, poseduar, trasnferuar, konvertuar, fshehur ose maskuar natyrën, burimin, vendndodhjen, disponimin, lëvizjen apo pronësinë e pasurisë.
Krejt kjo, thuhet se u bë duke e ditur ose duke pasur origjinën e tyre të kundërligjshme, ku Dërmaku dhe Alijaj përmes biznesit për këmbimin e kriptovalutave “Tresor Exchange” në Prishtinë, si dhe skemave të tjera vendore dhe ndërkombëtare të mashtrimit të shtetasve evropianë dhe të tjerë, kanë realizuar pasuri të konsiderueshme që tejkalojnë vlerat qindra mijëra euro të qarkullimit duke i konvertuar në kripto asete, e të cilat pastaj i kanë transferuar në xhirollogari, e që ishin të dedikuara për pastrim të parave.
Po ashtu, thuhet se kanë këmbyer-shitur kriptomonedha tek persona tjerë, duke pranuar kështu para kesh dhe përfitime të mëdha, përfshirë edhe vetura luksoze, konkretisht nga llogaria e cila rezulton se ishte në përdorim të Dërmakut. Andaj, vlera totale e parave të dërguara nga të pandehurit në këtë adresë , e bllokuar për shkak të mundësimit të shpëlarjes së parave, ka arritë në 152.720 dollarë.
Prandaj me këto veprime, tre të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, dhe nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimit të Financimit të Terrorizmit.
Në pikën katërt të kërkesës së PSRK-së, Dërmaku dhe Krasniqi dyshohen se duke vepruar në bashkëkryerje dhe nga realizimi i të ardhurave nga aktiviteti kriminal, me dashje dhe vetëdije kanë ofruar dhe vënë në dispozicion fonde organizatave me qëllim financimit apo kontributit për kryerjen e veprave terroriste.
Aty thuhet se fillimisht, i pandehuri Blerim duke vepruar sipas udhëzimeve të të pandehurit Spartak, ka dërguar kriptomonedha nga llogaria në përdorim të tij me të dhëna të falsifikuara në adresën e cila është dhe ka qenë në përdorim të pandehurit Spartak Dërmakut, ku nga kjo adresë kanë dërguar dy transaksione.
Gjithnjë sipas kërkesës, thuhet se kjo adresë është shprëndarë përmes rrjetit të komunikimeve “Telegram” nga grupi “GebtAus”, i cili grup ka për qëllim targetimin e audiencës gjerman-folëse për të mbledhur fonde me qëllim të financimit të terrorizimit. Transaksionet e realizuara nga Dërmaku në këtë grup, thuhet se kanë ndodhur me datën 10 gusht 2024, i cili në mënyrë direkte dërgon 800 dollarë, ndërsa me datën 23 gusht 2024 në mënyrë indirekte dërgon 350 USDT, të cilat më pas arrijnë në “GebtAus”.
Tutje, sipas kërkesës, thuhet se llogarinë Binance, Dërmaku e ka regjistruar në emër të nënës së tij, e cila adresë shërben për të mbledhë fonde për financim të terrorizimit, duke i kaluar përmes një adrese të ndërmjetme, ku fillimisht i dërgon 646 dollarë, dhe në po të njëjtin grup më 14 tetor 2024 po ashtu dërgon edhe një shumë prej 972 dollarë.
Këto transaksione, sipas kërkesës Dërmaku i dërgon duke i kaluar përmes adresave të tjera me qëllim të fshehjes së gjurmëve.
Për Krasniqin, thuhet se me 31 tetor 2023 ka regjistruar një llogari në emër të Boris Nikolovski, duke nisur nga kjo llogari 310 dollarë, e duke e transferuar në llogarinë e shpërndarë nga grupi i Telegram, Fastabiqul Khayrat, i cili grup targeton audiencën gjermane për të mbledhur fonde me qëllim të financimit të terrorizimit.
Prandaj Dërmaku dhe Krasniqi, dyshohen edhe për veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” nga neni 131, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe nenin 57 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimit të Financimit të Terrorizmit.
Dërmaku dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të KPRK-së, pasi që i janë gjet në posedim 73 fishekë, një set me dy thika dhe pajisje të tjera.
Në anën tjetër, Alijaj dyshohet edhe për veprën penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve dhe materialeve plasëse” nga neni 364, paragrafi 2 të KPRK-së, pasi që gjatë zbatimit të masave të fshehta i gjenden një armë pistoletë “Bereta” dhe një karikator 8 fishekë.
Sipas PSRK-së, dyshimi i bazuar se të pandehurit Spartak Dërmaku, Arijan Alijaj dhe Blerim Krasniqi kanë kryer veprat penale, bazohet në provat materiale dhe personale, duke theksuar në veçanti se nga Raporti mbi dokumentin e pranuar nga FBI më 1. qershor 2026 rezulton se Dërmaku më 29 mars 2025 ka udhëtuar nga Jeddah të Arabisë Saudite në drejtim të Stambollit/Turqisë dhe nga të dhënat e personit të arrestuar për vepra terroriste Habib Ismaili me datë 23 janar 2025 nga autoritet e Maqedonisë së Veriut, rezulton se është gjetur edhe adresa e dyshuar për financim të terrorizmit, ka pranuar mjete nga llogaria në Binance e krijuar me identitet të rrejshëm nga i pandehuri Spartak Dërmaku kinse në emrin Boris Nikolovsk.
Më tej, thuhet se nga raporti përmbledhës i Policisë së Kosovës i datës 24 prill 2026, përkatësisht nga raporti analitik – rezultatet nga ekzaminimi i telefonave dhe laptopit të të pandehurit Blerim Krasniqi, Ilogarisë në Binance në emër të Boris Nikolovski, Ilogaritë e kriptovalutave të Spartak Dërmakut, rezulton se të njëjtit janë të përfshirë në vepra të rënda kriminale duke përfshirë veprat e lartcekura të cilat iy vihen në barrë. E kjo thuhet se vërtetohet nga bisedat e të pandehurve, foto, video, të nxjerra nga ekzaminimi i pajisjeve, pastaj verifkimi i adresave të llogarisë së kriptovalutave në Binance, veçanërtisht nga adresa e emërtuar “Walleti i Mamiť”, ku nga kjo adresë janë gjeneruar mjete financiare në organizatat e lartcekura që kanë për qëllim financimin e terrorizmit. Thuhet se adresat lartcekura identifikojnë sjellje të vazhdueshme të mbështetjes së grupeve terroriste apo aktiviteteve terroriste, e të cilat në rastin konkret kanë pranuar fonde nga dy adresat e Spartak Dërmakut.
Po ashtu, në kërkesë thuhet se raporti përmbledhës – raporti analitik me subjekt të pastrimit të parave – financim të terrorizmit po ashtu përmban veprime inkriminuese të të pandehurve, ku gjatë analizimit të komunikimeve në mes Blerim Krasniqit dhe personave tjerë duke përfshirë të pandehurin Dërmaku, flitet për tregtim të kriptovalutave nga adresa të dyshmita të cilat janë krijuar me dokumente të falsifikuara me qëllim shpërlarjes së parave dhe atë në shuma të mëdha të tyre.
Më tej, thuhet se nga raportet tjera policore dhe nga zbatimi i masave të veçanta hetimore, rezulton se të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim janë koordinuar me qëllim të ushtrimit të veprimtarive të kundërligjshme duke u takuar, koordinuar me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të një dobie financiare,
“Nga zbatimi i masave të veçanta hetimore rezulton se Spartak Dërmaku si bashkëpunëtor i të pandehurit Arijan Alijaj dhe Blerim Krasniqi, në bashkëkryerje me të njëjtit është i përfshirë në veprimtari kriminale, edhe atë nga zbatimi i masave të veçanta të monitorimit të bisedave dhe lëvizjeve i njëjti zhvillon biseda në raport me shuma të mëdha të parave dhe lëvizjeve të parave në vendet e rajonit dhe brenda Kosovës”, thuhet në kërkesë.
Kurse, i pandehuri Blerim Krasniqi, nga zbatimi i masave të veçanta hetimore, thuhet se rezulton se në vazhdimësi bashkëpunon me Dërmakun dhe Alijajn, veçanërisht pas një bashkëpunimi juridik ndërkombëtar me Gjermanin dhe shtete tjera, si dhe nga ekzaminimi. Krasniqit i janë gjetur foto, video-incizime, bankënota të parave, me armë të ndryshme duke përfshirë edhe armë të gjata të llojit AK-47, dhe me persona me bindje ekstremiste, e po ashtu nga ekzaminimi i pajisjeve është gjetur se njëjti bashkëpunon në vazhdimësi me Spartak Dërmakun duke marrë me transaksione dyshimta të kriptovalutave me prejardhje të dyshimtë.
PSRK arsyeton se ekziston frika e bazuar se të pandehurit Spartak Dërmaku, Blerim Krasniqi dhe Arian Alijaj, në rast se mbrohen në liri, mund të arratisen me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale dhe pengimit të zhvillimit të procedurës penale.
“Nga provat e siguruara gjatë fazës së hetimit rezulton dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë vepruar në kuadër të një grupi të organizuar kriminal, aktiviteti i të cilit është shtrirë jo vetëm në territorin e Republikës së Kosovës, por edhe në shtete të tjera, përfshirë Zvicrën, Gjermanin, Lihteshtajnin dhe Maqedoninë e Veriut. Vetë karakteri ndërkombëtar i veprimtarisë kriminale dhe lidhjet e krijuara jashtë territorit të Republikës së Kosovës paraqesin rrethana objektive që ua mundësojnë të pandehurve largimin nga juridiksioni i organeve vendore të ndjekjes dhe gjykimit”, thuhet në kërkesë.
Gjithasht, theksohet se Dërmaku kishte krijuar identitetin e rremë “Boris Nikolovski”, përmes të cilit janë hapur dhe përdorur llogari për realizimin e transaksioneve financiare të dyshuara si pjesë e aktivitetit të shpëlarjes së parave.
Kurse, thuhet se rreziku i arratisjes bëhet edhe më i theksuar duke pasur parasysh peshën dhe natyrën veprave penale për të cilat dyshohen të pandehurit.





