Përgatiti: Nora Luta
Pak metra larg komunës, ndodhet dega e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, këtu në Zubin-Potok.
Por ndryshe nga objekti komunal, në hyrje të degës së gjykatës, e cila është e mbyllur nga nëntori i vitit 2022, valon flamur i shtetit serb.
Përveç në Zubin Potok, as dega e gjykatës në Leposaviq nuk ofron shërbime që nga ajo kohë, kur dhanë dorëheqje stafi dhe gjyqtarët e nacionalitetit serb.
Mungesa e tyre, sipas juristëve, ka vështirësuar qasjen e qytetarëve në drejtësi.
Megjithatë, sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykata në Mitrovicë ka zgjidhur më shumë lëndë vitin e kaluar, krahasuar me vitet paraprake.
Kryesuesi Albert Zogaj thotë se dorëheqjet që janë pezull pamundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës.
Me përjashtim, por jo të gjithë gjyqtarët, e prokurorët e dorëhequr, që vepruan me direktiva të Serbisë, duhet të kthehen në punë, sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.
Gjyqtarët dhe stafi administrativ i nacionalitetit serb dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në gjykatën në veri, shkaku i vendimit të Qeverisë për targa dhe arrestimit të ish-drejtorit të Policisë në këtë pjesë.
KGJK-ja i kishte shkarkuar ish-kryetaren, Liljana Stefanovic, dhe ish-udhëheqësin e divizionit të Apelit në veri, Nikolla Kabashiq, në tetor të vitit të kaluar, pasi e kishte konsideruar pjesëmarrjen e tyre në organizimet e Listës Serbe si shkelje të rëndë.






