Mesfushori i Kosovës, Donat Rrudhani, po e rigjen gradualisht formën e dikurshme, duke lënë sërish gjurmë te Sioni në Superligën e Zvicrës.
Për të dytën ndeshje radhazi, ylli kosovar ka arritur të gjejë rrjetën në elitën e futbollit zviceran. Këtë herë, Rrudhani realizoi një eurogol spektakolar nga distanca, me një vollej të fuqishëm që la portierin kundërshtar plotësisht të shtangur.
Forma e tij e fundit është një sinjal i mirë edhe për Kombëtaren e Kosovës. Nëse Rrudhani vazhdon me këtë ritëm dhe paraqitje, ai mund të rikthehet shumë shpejt në planet e trajnerit Franco Foda, sidomos duke pasur parasysh se së fundmi emri i tij ishte parë vetëm në listën e gjerë.
Rikthimi i Rrudhanit në formën e tij më të mirë do të ishte një lajm i rëndësishëm për Kosovën, pasi mesfushori tashmë po tregon se mund të jetë sërish një prej opsioneve interesante në repartin ofensiv.





