spot_imgspot_img
spot_img

Dollari dhe euro dixhitale: Lindja e një epoke të re monetare

Nga Prof. Adrian Civici

Epoka e “parave inteligjente” ka nisur, dhe fati i saj do të matet jo me shpejtësinë e kodit, por me aftësinë për të mbajtur në ekuilibër lirinë individuale, besimin publik dhe përgjegjësinë demokratike në një botë gjithnjë e më algoritmike. Dhe si çdo revolucion financiar – nga ari te letra, nga letra te karta, dhe sot nga karta në kod – ai nuk do të matet me shpejtësinë e inovacionit, por me aftësinë për të mbajtur në ekuilibër lirinë, besimin dhe përgjegjësinë publike.

Monedhat dixhitale të bankave qendrore po shndërrohen sot në arenën më të re të garës për pushtet financiar global. Pas valës së kriptomonedhave dhe inovacioneve të decentralizuara si Bitcoin, Shtetet dhe bankat qendrore po marrin në dorë flamurin e revolucionit monetar, për ta riformatuar paranë jo më si letër apo monedhë metalike, por si kod, algoritëm dhe kontroll dixhital. Kjo lëvizje nuk është e rastësishme. Historia e parasë është historia e besimit dhe kontrollit. Çdo epokë monetare ka pasqyruar ndryshimet më të thella të rendit politik dhe ekonomik të kohës. Në shek.XXI, ky rend po futet në fazën e tij algoritmike, ku kodi kompjuterik po zëvendëson arin si themel i besimit monetar. Tashmë, koncepti i “parave dixhitale” ka kaluar nga forumet anonime online në zemrën e strategjisë monetare globale. Ajo që në vitin 2009 nisi si një eksperiment libertarian, një përpjekje për t’i shpëtuar kontrollit të qeverive dhe bankave, sot është bërë mjeti kryesor i vetë bankave qendrore për të ruajtur sovranitetin monetar në epokën e inteligjencës artificiale.

Në një kuptim të gjerë, “jemi duke parë rishpikjen e parasë”. Në antikitet, mbretërit e stampuan figurën e tyre në monedha për të shprehur pushtetin. Në epokën moderne, bankat qendrore shtypën kartëmonedha për të mbajtur nën kontroll ofertën monetare. Në epokën dixhitale, ky sovranitet monetar po transferohet në sferën e informacionit: kush kontrollon kodin, rrjetin dhe të dhënat, kontrollon edhe vlerën. Sipas Bankës për Rregullime Ndërkombëtare, mbi 130 banka qendrore në të gjithë botën janë duke eksploruar, testuar ose zhvilluar monedhat e tyre dixhitale kombëtare. Ky është një rekord historik: asnjëherë më parë, një inovacion monetar nuk është përqafuar kaq gjerësisht e kaq shpejt në nivel global. Historia e parasë është e pandarë nga historia e besimit dhe e kontrollit shtetëror ; një narrativë që ka kaluar nga metalet e çmuara të lashtësisë, tek standardet e arit të Epokës Klasike (shek. XIX-XX), dhe më pas tek monedhat fiat post-Bretton Ëoods, vlera e të cilave mbështetet vetëm në besimin (fides) ndaj qeverive. Sot, ky rend po futet në fazën e tij algoritmike, ku protokolli dhe kodi kompjuterik po zëvendësojnë arin si themel i garancisë monetare.

Kina ka kaluar nga testimi në përdorim real të “e-CNY”, duke krijuar një infrastrukturë të sofistikuar për pagesat publike, pagesat ndërkombëtare dhe përfshirjen financiare të popullsisë. BE ka përfunduar fazën përgatitore të euros dixhitale, një projekt që synon të ruajë peshën ndërkombëtare të euros dhe të modernizojë sistemin e pagesave në kontinent. Ndërkohë, Rezerva Federale e SHBA po studion dollarin dixhital si një instrument të ri për ruajtjen e epërsisë globale të monedhës amerikane, në një botë ku konkurrenca monetare nuk ndodh më në tregjet e arit apo të obligacioneve, por edhe në hapësirën kibernetike.

Në fakt, rrugëtimi nga Bitcoin tek monedhat dixhitale shtetërore është një nga sfidat më të mëdha të historisë monetare: një teknologji që u krijua për të shmangur bankat qendrore, po bëhet sot instrumenti i tyre më i fuqishëm. Bankat qendrore po kërkojnë jo vetëm të modernizojnë sistemet e pagesave, por të rikthejnë kontrollin mbi një hapësirë financiare që po bëhej gjithnjë e më e fragmentuar e decentralizuar. Në epokën e re të “inteligjencës financiare”, ku algoritmet marrin vendime për kreditë, tregjet dhe investimet, paraja dixhitale e bankave qendrore është bërë thembra e Akilit dhe simboli i sovranitetit të ri monetar. Në këtë betejë, inovacioni teknologjik është mjeti; qëllimi është kontrolli mbi rrjedhën e vlerës, dhe, kontrolli mbi pushtetin ekonomik global.

Pas një dekade eksperimentesh, vetë bankat qendrore kuptuan se nuk mund të injoronin këtë revolucion, përkundrazi, duhej ta përvetësonin atë. Kështu nisi faza e dytë e evolucionit dixhital të parasë: nga kriptoanarkia te institucionalizimi. CBDC-të — monedhat dixhitale të bankave qendrore — janë, fëmijët e “rebelimit kripto” të adoptuar nga shteti.

Filozofia që ndryshoi kuptimin e parasë

Në dhjetor 2008, një figurë enigmatike me pseudonimin Satoshi Nakamoto publikoi një dokument të shkurtër: “Bitcoin: A Peer-to-Peer Electronic Cash System.” Në vetëm 9 faqe, ajo përmbante një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj gjithë sistemit financiar botëror. Ideja ishte radikale: të krijohej një sistem pagese që nuk kishte nevojë për banka, qeveri apo autoritete qëndrore, një sistem i bazuar jo te besimi, por te algoritmi. Bitcoin ishte një “revoltë financiare”, një formë e re lirie ekonomike, që kërkonte të çlironte paranë nga kontrolli i shtetit. Ishte pasardhësi ideologjik i teorive libertariane dhe anarshiste të tregut të lirë, që kishin lindur pas krizave financiare të shekullit XX dhe kulmuan me krizën globale të vitit 2008. Bitcoin u paraqit si reagim ndaj dështimit të bankave dhe ndërhyrjeve qeveritare, një mënyrë për të ndërtuar një sistem që nuk mund të manipulohej nga politika monetare, apo nga interesat e korporatave të mëdha. Por me kalimin e viteve, romantizmi libertarian i kriptovalutave hasi në realitetin e ekonomisë moderne: paqëndrueshmëri ekstreme, mungesë garancie, spekulim masiv dhe përdorim për qëllime të paligjshme. Kjo përvojë nxori në pah paradoksin themelor të parasë dixhitale: pavarësia teknologjike pa garanci institucionale prodhon kaos, jo stabilitet.

Pas një dekade eksperimentesh, vetë bankat qendrore kuptuan se nuk mund të injoronin këtë revolucion, përkundrazi, duhej ta përvetësonin atë. Kështu nisi faza e dytë e evolucionit dixhital të parasë: nga kriptoanarkia te institucionalizimi. CBDC-të — monedhat dixhitale të bankave qendrore — janë, fëmijët e “rebelimit kripto” të adoptuar nga shteti.

Filozofia e Bitcoin-it u nda në dy pjesë: Teknologjia (blockchain, kriptografia, transaksionet e menjëhershme) u përvetësua; Ideologjia (decentralizimi, anonimiteti, mungesa e autoritetit) u braktis. Në një analizë mbi “dollarin dixhital”, ish-guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney: “Nëse Bitcoin ishte një akt rebelimi, monedhat dixhitale të bankave qendrore janë përgjigjja institucionale — një mënyrë për të rikthyer besimin në një sistem që po shpërbëhej.”

Euroja dhe dollari dixhital nuk janë “monedha të reja”, por formate të reja të parasë ekzistuese. Ato janë projektuar për të bashkëjetuar me monedhën fizike, kartat, pagesat elektronike dhe sistemet bankare, por duke futur një element të ri: lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarit me bankën qendrore, pa ndërmjetës. Por përtej efikasitetit teknik, filozofia e këtij transformimi është thellësisht politike. Nëse Bitcoin përfaqësonte një liri të pakontrolluar, euro dhe dollari dixhital përfaqësojnë një liri të administruar, të bazuar në besimin institucional dhe në kontrollin e rregullt të sistemit monetar. Kjo dilemë “midis lirisë dhe stabilitetit” është thelbi i debatit të sotëm global mbi të ardhmen e parasë. Ekonomistët e shohin si “evolucion natyral të teknologjisë monetare”, filozofët si “riformatim të besimit shoqëror”, ndërsa politikanët si “instrument të sovranitetit kombëtar në epokën dixhitale”. Sipas Niall Ferguson “Çdo formë e re e parasë ka ndryshuar mënyrën si njerëzit besojnë tek njëri-tjetri, si krijojnë vlerë dhe si e shpërndajnë pushtetin.” Pra, monedhat dixhitale të bankave qendrore nuk janë thjesht inovacion teknologjik, por shprehja më e fundit e një procesi të gjatë, ku paraja evoluon bashkë me pushtetin që e kontrollon atë. Nga ari i mbretërve te kartëmonedhat e shteteve, e deri te kodet e bankave qendrore, historia e parasë mbetet historia e autoritetit ekonomik mbi individin. Sot, ky autoritet nuk ndodhet më në një kasafortë, por në një server të koduar.

Euroja dhe dollari dixhital nuk janë “monedha të reja”, por formate të reja të parasë ekzistuese. Ato janë projektuar për të bashkëjetuar me monedhën fizike, kartat, pagesat elektronike dhe sistemet bankare, por duke futur një element të ri: lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarit me bankën qendrore, pa ndërmjetës.

Mjete të reja të politikës monetare dhe garës gjeopolitike

Në botën e sotme, monedha nuk është më vetëm një instrument ekonomik, por një infrastrukturë strategjike e pushtetit. Projekti i euros dhe dollarit dixhital nuk është thjesht një hap teknologjik, por një akt politik i epokës dixhitale; një përpjekje për të siguruar që fuqitë tradicionale monetare të mos humbasin terren në garën e re të parave algoritmike. Sipas BQE, qëllimi i euros dixhitale është i dyfishtë: “Të garantojë aksesin e qytetarëve në një mjet pagese të sigurt, të besueshëm dhe të garantuar nga shteti, në një ekonomi, që po bëhet gjithnjë e më dixhitale.” Rezerva Federale e SHBA-së e sheh dollarin dixhital si një mjet për të përmirësuar efikasitetin e pagesave ndërkombëtare, për të ulur kostot e transaksioneve dhe, më e rëndësishmja, për të ruajtur statusin e dollarit si monedha rezervë botërore.

Koncepti është i thjeshtë: një qytetar do të ketë mundësinë të mbajë euro ose dollarë dixhitalë në një portofol elektronik të hapur direkt pranë bankës qendrore, pa ndërmjetës bankar. Kjo do të mundësojë transaksione të menjëhershme, transparente dhe me kosto minimale. Por, çdo revolucion financiar ka edhe dyshimet e veta. Një sistem ku bankat qendrore kontrollojnë drejtpërdrejt transaksionet, krijon një sasi të paprecedentë të dhënash monetare, duke ngritur pikëpyetje mbi privatësinë dhe lirinë financiare. Sipas Harald Malmgren, “monedhat dixhitale të bankave qendrore mund të kthehen në ekuivalentin financiar të kamerave të sigurisë; përmirësojnë rendin, por e kufizojnë lirinë.” Kjo është dilema themelore e epokës së re: si të ruhet ekuilibri midis transparencës dhe privatësisë. Ky realitet nxori në pah paradoksin themelor të parasë dixhitale: Paraja, për të qenë funksionale dhe e qëndrueshme, kërkon mbështetjen e një autoriteti sovran.

Në modelin evropian, është propozuar që pagesat e vogla të mbeten anonime deri në një kufi të caktuar, ndërsa transaksionet e mëdha do të jenë të gjurmueshme. Në SHBA, debati është më i polarizuar. Mbështetësit e dollarit dixhital e shohin si garanci për lidershipin financiar të Amerikës dhe përfshirje më të madhe të qytetarëve në sistemin financiar; kritikët, përkundrazi, e cilësojnë si rrezik për privatësinë dhe një hap drejt “shtetit që di gjithçka për portofolin tënd”. Ky qëndrim dallon nga ai i BQE, e cila është më e avancuar në fazën e zhvillimit të euros dixhitale. FED e vë theksin te rëndësia e ruajtjes së stabilitetit financiar dhe të drejtave të privatësisë.

Një ekuilibër i ri midis shtetit dhe tregut

Monedhat dixhitale të bankave qendrore po ndryshojnë arkitekturën tradicionale të sistemit financiar. Nëse qytetarët mund të mbajnë para drejtpërdrejt në bankën qendrore, atëherë roli klasik i bankave tregtare si depozituese dhe ndërmjetëse vihet seriozisht në pikëpyetje. Kjo nuk është një çështje teknike, por një rishpërndarje e pushtetit financiar. Jean Pisani-Ferry paralajmëron: “CBDC-të mund të rishkruajnë tërësisht arkitekturën e sistemit financiar, duke e detyruar sektorin bankar të shpikë veten nga e para.” Nga njëra anë, kjo do të ulë kostot e transaksioneve dhe të zvogëlojë varësinë nga kreditë e bankave tregtare, duke nxitur inovacione në financimin alternativ; nga ana tjetër, ajo krijon një rrezik të ri: në rast paniku financiar, “ikja dixhitale e depozitave” mund të ndodhë në sekonda, shumë më shpejt se çdo krizë bankare klasike. Në këtë mënyrë, CBDC-të nuk janë vetëm mjet pagesash; ato janë mekanizma të rinj të politikës monetare dhe të menaxhimit të krizave. CBDC-të mund t’i japin bankave qendrore një mjet të ri të fuqishëm për injektimin ose tërheqjen e likuiditetit në kohë reale. Teorikisht, kjo lejon implementimin e normave të interesit negativ ose pozitiv direkt në portofolin dixhital të çdo qytetari, duke e bërë politikën monetare më të shpejtë, më efikase dhe më të targetuar. Por, kjo rrit rrezikun e ndërhyrjeve të drejtpërdrejta politike dhe rrit nevojën për pavarësi të Bankës Qendrore.

Gjeopolitika e parasë dixhitale

Në sfond të gjithë këtij transformimi, po zhvillohet një garë e heshtur gjeopolitike.
Kina ka qenë ndër të parat që e ka përdorur e-yuanin (e-CNY) jo vetëm për përdorim të brendshëm, por edhe si mjet për transaksione ndërkombëtare me vendet e Azisë dhe Afrikës, duke testuar mundësinë e një alternative ndaj sistemit SËIFT që dominohet nga Perëndimi.
Rusia, India, Brazili dhe vendet e grupit BRICS po eksperimentojnë me modelet e tyre kombëtare të CBDC-ve, me synimin e përbashkët për të zvogëluar varësinë nga dollari amerikan. Kina ka shfrytëzuar e-Yuan-in jo vetëm për modernizimin e brendshëm, por edhe për të sfiduar sistemin ndërkombëtar të pagesave, të dominuar nga dollari dhe sistemi SËIFT. Përdorimi i e-CNY në transaksionet tregtare me vendet e Azisë dhe Afrikës, dhe eksplorimi i urave ndërkufitare CBDC (p.sh., Project mBridge i BIS) synon të ofrojë një alternativë të shpejtë dhe pa ndërmjetës perëndimorë. Ky mekanizëm është një mjet i mundshëm për shmangien e sanksioneve financiare ndërkombëtare.

BE dhe SHBA e shohin zhvillimin e monedhave dixhitale jo vetëm si inovacion ekonomik, por si mbrojtje strategjike ndaj ndikimit monetar. Ish-guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, u shpreh: “Bota po shkon drejt një sistemi të shumëfishtë monetar. Ai që përcakton standardet dixhitale të parasë sot, do të përcaktojë rregullat e tregtisë së nesërme.” Kjo është arsyeja pse euro dhe dollari dixhital janë më shumë se projekte financiare: ato janë instrumente të politikës së jashtme, të sigurisë dhe të identitetit ekonomik. Në këtë garë, teknologjia është terreni, por pushteti është çmimi.

Dilemat e së ardhmes

Në thelb, CBDC-të janë përgjigjja institucionale ndaj kriptomonedhave. Nëse Bitcoin mishëron lirinë absolute, euro dhe dollari dixhital mishërojnë besimin e organizuar. Nëse Bitcoin sfidon autoritetin, CBDC-të përpiqen ta ripërkufizojnë autoritetin në epokën dixhitale. Por pyetja qëndron: a po krijojmë një sistem më të drejtë dhe përfshirës, apo një mekanizëm të ri kontrolli të centralizuar financiar? Siç argumenton Kenneth Rogoff : “E ardhmja e parasë nuk do të përcaktohet nga teknologjia, por nga mënyra si shoqëritë vendosin të balancojnë lirinë individuale me interesin publik”. Marrëdhënia midis CBDC-ve dhe kriptomonedhave private “mund të quhet si një bashkëjetesë e tensionuar”: CBDC (Centralizimi), synon të sigurojë që revolucioni dixhital i parasë të jetë i rregulluar dhe i sigurt, duke ruajtur stabilitetin financiar. Kriptovalutat Private (Decentralizimi) veprojnë si një forcë nxitëse e inovacionit dhe një sfidë ideologjike ndaj fuqisë së shtetit. Për Bankat Qendrore, strategjia është e dyfishtë: të minimizojnë rreziqet e kriptomonedhave private (duke i rregulluar rreptësisht ose duke i diskualifikuar si para të rrezikshme) dhe të adoptojnë teknologjinë e tyre përmes CBDC-ve për të ofruar një alternativë zero-risk dhe sovrane. Paraja po humbet trupin e saj fizik, por jo shpirtin e saj politik. Euro dhe dollari dixhital nuk janë vetëm inovacione teknologjike, ato janë projektime të pushtetit, besimit dhe sovranitetit në një botë që po bëhet plotësisht dixhitale.

Epoka e “parave inteligjente” ka nisur, dhe fati i saj do të matet jo me shpejtësinë e kodit, por me aftësinë për të mbajtur në ekuilibër lirinë individuale, besimin publik dhe përgjegjësinë demokratike në një botë gjithnjë e më algoritmike. Dhe si çdo revolucion financiar – nga ari te letra, nga letra te karta, dhe sot nga karta në kod – ai nuk do të matet me shpejtësinë e inovacionit, por me aftësinë për të mbajtur në ekuilibër lirinë, besimin dhe përgjegjësinë publike.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA