Dokumentari “Melania” do të dalë në kinema në janar të vitit 2026, i cili tregon për rikthimin e zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Dokumentari u prodhua nga Amazon MGM Studios, në pronësi të Jeff Bezos, dhe do t’u ofrojë shikuesve “detaje të papara më parë të 20 ditëve para inaugurimit presidencial të vitit 2025 – përmes syve të vetë zonjës së parë”.
Amazon MGM Studios ndau një foto të Melanias duke shikuar nga dritarja e një makine të parkuar në Twitter. Melania ndau të njëjtën foto.
“Hyni në botën e Melania Trump ndërsa ajo orkestron planet e inaugurimit, përballet me kompleksitetet e tranzicionit të Shtëpisë së Bardhë dhe kthehet në jetën publike me familjen e saj. Me pamje ekskluzive të takimeve kyçe, bisedave private dhe ambienteve të papara më parë, ‘Melania’ paraqet rikthimin e znj. Trump në një nga rolet më të fuqishme në botë”, thuhet në foto në Twitter.
Projekti u njoftua për herë të parë në janar. Në një intervistë me Fox News, Melania tha se filmi do të përshkruante “jetën e saj të përditshme”.
“Është puna e përditshme, që nga ekipi i tranzicionit deri te zhvendosja në Shtëpinë e Bardhë, paketimi, ngritja e ekipit tim, zyra e Zonjës së Parë, zhvendosja në Shtëpinë e Bardhë, ajo që duhet për ta bërë rezidencën shtëpinë tuaj, deri te punësimi i njerëzve që ju nevojiten”, tha ajo.
Filmi drejtohet nga Brett Ratner, i cili nuk është më në favor të Hollywood-it për shkak të akuzave për sulm seksual. I njohur për regjinë e filmave “Rush Hour” dhe “Family Man”, filmi “Melania” do të jetë filmi i tij i parë që kur akuzat dolën në dritë.
Wall Street Journal raportoi se Melania dyshohet se ia paraqiti projektin e filmit Bezos dhe ai i ndau 40 milionë dollarë (34.4 milionë euro) për të blerë filmin.
Së bashku me dokumentarin, një seri dokumentarësh me tre pjesë do të publikohet në Amazon Prime. /Telegrafi/