Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pas vendosjes së masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, kanë dërguar komentet e tyre.
Osmani tha se komentet e dorëzuara ka argumentuar se përderisa Kuvendi ka zgjedhur kryetarin dhe Kryesia ka kuorum, puna e këtij institucioni nuk mund të bllokohet.
E para e shtetit në një konferencë për media tha se bllokimi i Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari të vetëm, përderisa kryesia ka kuorum, do ta cenonte në mënyrë serioze funksionalitetin institucional, por edhe vlerat në të cilat është themeluar Republika e Kosovës.
Tashmë Presidenca ka publikuar edhe komentet e plota të këtij institucioni dërguar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit.
Në komentet e dorëzuara, Presidenca kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të mos lejojë që cilado parti politike apo komunitet të ketë të drejtën e vetos në procese jetike për shtetin, siç është konstituimi i organit më të lartë përfaqësues të tij.
Aty argumentohet se duke ia dhënë një partie politike që përfaqëson një komunitet veton mbi funksionalizimin e Kuvendit, e rrjedhimisht edhe të Qeverisë, Presidencës, e gati çdo institucioni tjetër shtetëror që zgjedhet në Kuvend, Republika do të zhvleftësohej duke u shndërruar në një parim në letër, në vend se të jetë veprim i çdoditshëm në mbrojtje të sovranitetit e të interesave të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
“Në bazë të asaj që u argumentua më lart, si dhe duke pasur parasysh natyrën përfundimtare të interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata ka para saj mundësinë për ta përcaktuar një standard tejet të rëndësishëm për rastin në fjalë dhe secilin proces të ardhshëm të konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prandaj, me respekt kërkoj nga Gjykata Kushtetuese që të mos lejojë që cilado parti politike apo komunitet të ketë të drejtën e vetos në procese jetike për shtetin, siç është konstituimi i organit më të lartë përfaqësues të tij. Çdo përcaktim ndryshe, rrezikon që të legjitimojë bllokime procedurale të themelimit të institucioneve kyçe, në nivel të normës kushtetuese, juridikisht të detyrueshme. Vetoja mbi Republikën nuk ka qenë kurrë as qëllimi i themeluesve të shtetit e as i hartuesve të Kushtetutës. Duke ia dhënë një partie politike që përfaqëson një komunitet veton mbi funksionalizimin e Kuvendit, e rrjedhimisht edhe të Qeverisë, Presidencës, e gati çdo institucioni tjetër shtetëror që zgjedhet në Kuvend, Republika do të zhvleftësohej duke u shndërruar në një parim në letër, në vend se të jetë veprim i çdoditshëm në mbrojtje të sovranitetit e të interesave të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Është në duar të kësaj Gjykate, që ta mbrojë shtetin nga rreziku që po i kanoset. Vendimi në rastin konkret nuk ka të bëjë thjesht me një pozitë të një nënkryetari nga komuniteti serb, por lidhet me funksionalitetin e shtetit tonë si tërësi. Në marrjen e këtij vendimi, shpresoj se do të udhëhiqeni nga mbrojtja e interesit më të mirë të Republikës së Kosovës, në përputhje me Kushtetutën dhe siç ju ngarkon betimi që keni dhënë ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet në komentet e Osmanit të dërguara në Kushtetuese./ATVLIVE/