Dogana e Kosovës ka zhvilluar një aksion në Prishtinë ku ka ndaluar një veturë që shpërndante barna pa banderola në barnatore të ndryshme. Gjatë kontrollit janë gjetur barna të kontrabanduara pa dokumentacion ligjor dhe me prejardhje të dyshimtë.
I dyshuari është shoqëruar për intervistim, ndërsa barnat janë sekuestruar. Me autorizim të prokurorit, po zhvillohen kontrolle shtesë në barnatoret përkatëse.
Komunikata e plotë:
Dogana e Kosovës – Njësitet Antikontrabandë ndërmarrin aksion kundër shpërndarjes së barnave të kontrabanduara në Prishtinë
Prishtinë, 5 gusht 2025 – Sot në qytetin e Prishtinës, Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë identifikuar një automjet të dyshimtë që ishte duke shpërndarë barna pa banderola në barnatore të ndryshme.
Gjatë ndalimit dhe kontrollit të automjetit, janë gjetur sasi të konsiderueshme të barnave të kontrabanduara, të cilat nuk posedonin dokumentacion të rregullt ligjor dhe nuk kishin banderola të Republikës së Kosovës, duke ngritur dyshime për prejardhjen e tyre dhe sigurinë për përdorim të qytetarëve. I dyshuari është shoqëruar për intervistim nga zyrtarët hetues të Doganës së Kosovës, ndërsa të gjitha barnat janë sekuestruar si prova materiale.
Me autorizim të Prokurorit kompetent, aktualisht janë duke u kryer kontrolle shtesë në barnatoret ku dyshohet se janë shpërndarë këto barna. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe veçanërisht në mbrojtjen e shëndetit publik nga produktet ilegale dhe të pasigurta.
Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo rast të dyshuar përmes linjës pa pagesë 0800 50 095 ose përmes platformës online për denoncim anonim.