Dogana e Kosovës ka nisur një aksion kontrolli në disa barnatore në rajonin e Pejës dhe Gjakovës, në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e tregtimit të barnave pa dokumentacion të rregullt.
Sipas konfirmimit nga zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, aksioni është duke u zhvilluar në gjithsej shtatë lokacione.
“Aksioni është duke u zhvilluar në gjashtë lokacione në Pejë dhe një në Gjakovë”, ka deklaruar Stavileci.
Raportohet se ky aksion ka për qëllim identifikimin dhe parandalimin e tregtimit të barnave që nuk kanë dokumentacion përkatës dhe që nuk kanë kaluar procedurat e rregullta doganore.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se pas përfundimit të kontrolleve do të publikohen edhe detaje shtesë lidhur me rezultatet e këtij aksioni.






