Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se deri në orën 12:00, të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 14.5% votuesve (me margjinë gabimi+/-0,37), nga 1,970,944 e qytetarëve me të drejtë vote, raporton EO.
Në komunat me shumicë serbe, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 24% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.
Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat ka pasur në më shumë se 52% të vendvotimeve, deri në 10 raste të tilla. Shqetësues mbetet fakti se në 6% të vendvotimeve numri i qytetarëve që kanë raportuar për këto vështirësi ka qenë deri në 50 raste.
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, ka thënë se këto vështirësi mund të jenë rezultat i ndryshimeve të Qendrave të Votimit nga ana e KQZ-së për shkak të rritjes së numrit të përgjithshëm të votuesve, ndonëse secili votues ishte informuar dhe kishte mundësi të kontrollojë qendrën e votimit dhe vendvotimin përmes sistemit elektronik.
“Sa i përket parregullsive, deri në mesditë kanë qenë gjetja e emrave në listën e votuesve, janë parregullsitë kryesore që e kanë karakterizuar mbi 50 për qind të vendvotimeve në nivel vendi. Shqetësues mbetet fakti që kemi afërsisht 6 për qind të vendvotimeve në të cilat numri i votuesve që nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve arrin deri në 50 sosh. Këto vështirësi dhe kjo problematike mund të jetë si rezultat i ndryshimeve të shumta në qendrat e votimit që janë bërë nga ana e KQZ-së, ndonëse KQZ-ja ka zhvilluar një fushatë informuese për votuesit në lidhje me këto ndryshime”.
“Sipas rregullave të KQZ-së, vetëm votuesit që nuk dinë shkrim-lexim dhe votuesit që kanë paaftësi fizike, mund të kërkojnë asistencë për të votuar. Megjithatë, për votuesit e grupit të dytë kërkohet një dëshmi mjekësore për të njëjtin. Deri në mesditë, fenomeni i votimit me asistencë ka qenë mjaft i shprehur, ngjashëm si në proceset tjera zgjedhore. Në fakt 6 për qind e numrit të përgjithshëm të qytetarëve që kanë votuar deri më tani kanë votuar me asistencë, e në mesin e votuesve të asistuar 2,3 e tyre janë gra që kryesisht vijnë nga zonat rurale”, ka thënë ai.