Përgatiti: Fatlum Jashari
Çështje “pasqyrimi” e vlerësoi Bashkimi Evropian takimin e ambasadorit të Serbisë në SHBA, Marko Djuriq, me të kërkuarin nga Interpol-i, Milan Radojiçiq.
BE-ja nuk pati qëndrim të ri kur u pyet për mbrojtjen nga Serbia të njeriut që mori përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e sulmit terrorist-paramilitar në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Nuk na takon ta komentojmë secilin takim që anëtarë të administratës serbe kanë me njerëz të ndryshëm. Mendoj se, para së gjithash, kë takoni, ju pasqyron juve, veçanërisht nëse është një i dyshuar për veprime kriminale. Por, lidhur me sulmin në Banjskë, qëndrimi i BE-së mbetet i njëjtë. Ne po presim raportin hetimor zyrtar, përfundimtar, dhe pastaj do të shohim se si të sigurohet llogaridhënia. Deri tani, nuk e kemi parë një raport të tillë këtu në Bruksel”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.
Kur u pyet për takimin Djuriq-Radoiçiq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sulmoi publikuesin e fotografisë.
“E keni parë Duricin atje e këtu. Nuk e pyeta kur, ku ose pse? Ose nëse je ngritur nga tavolina për ta përshëndetur Milan Radoicicin, të ulesh me të për një a dy minuta, ose nëse ishte me të. Nuk e kam pyetur asgjë. Vetëm i kam shikuar të gjithë denoncuesit dhe injorantët tjerë se si e raportojnë dikë diku. Thonë – imagjinojeni u takua me horrin serb – vërtet! Ndërsa lavdërojnë atë që shkojnë te varri i Adem Jasharit”, ka deklaruar Vuçiq.
Vetë Duriqi, për mediat në Serbi, tha se i pëlqen të takohet me Radoiçiqin, teksa iu referua si përfaqësues i serbëve në Kosovë.
Në një reagim, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffery Hovenier, tha se “Radoiçiq është kriminel që duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë”.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: