Shumë njerëz e aplikojnë deodorantin menjëherë pasi zgjohen në mëngjes. Megjithatë, sipas ekspertëve, ky nuk është momenti më i përshtatshëm.
Është një produkt që përdoret çdo ditë, pothuajse automatikisht. Por rezulton se një pjesë e madhe e njerëzve po e përdorin gabim antidjersën.
Specialistët e International Hyperhidrosis Society theksojnë se koha më e mirë për ta aplikuar antidjersën nuk është në mëngjes, siç besohet zakonisht, por në mbrëmje, para gjumit.
“Për rezultate optimale, përdoreni antidjersën në mbrëmje. Gjatë natës prodhimi i djersës është më i ulët. Aplikimi në këtë kohë u jep mundësi përbërësve aktivë të depërtojnë në poret e lëkurës dhe të bllokojnë djersitjen për ditën pasuese”, shpjegojnë ekspertët.
Sipas tyre, kur vendoset në mëngjes, efekti mund të jetë më i dobët dhe madje mund të shkaktojë më shumë njolla në rroba.
Ekspertët sqarojnë gjithashtu një ngatërresë të zakonshme: deodoranti dhe antidjersa nuk janë i njëjti produkt.
Antidjersat përmbajnë përbërës me bazë alumini që bllokojnë përkohësisht poret e djersës, duke reduktuar sasinë e djersës që del në sipërfaqe. Ndërsa deodorantët kanë për qëllim të luftojnë erën, por jo djersën. Ata zakonisht përmbajnë alkool dhe parfume që neutralizojnë bakteret dhe aromën e pakëndshme.
Sot në treg gjenden shumë produkte që kombinojnë të dyja funksionet, duke ndihmuar njëkohësisht kundër djersës dhe erës.
Një tjetër gabim i shpeshtë është aplikimi i disa shtresave. Sipas ekspertëve, mjafton një shtresë e hollë.
“Një lëvizje lart dhe një poshtë është e mjaftueshme. Nuk ka nevojë për më shumë, pasi teprica mund të përfundojë në rroba”, këshillojnë ata.
Për personat që djersijnë më tepër, rekomandohet edhe heqja e qimeve në sqetull, në mënyrë që produkti të depërtojë më mirë në lëkurë dhe të mos mbeten djersa dhe yndyrnat në sipërfaqe, ku bakteret shumohen më lehtë.
Në rastet kur djersitja është e tepërt dhe shkakton shqetësim serioz, mjekët mund të sugjerojnë trajtime të tjera. Megjithatë, ekspertët këshillojnë që fillimisht të identifikohet shkaku, pasi faktorë si stresi shpesh ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e djersitjes.






