Dita Ndërkombëtare e Pyjeve është një ditë ndërkombëtare e cila shënohet më 21 mars.
Si e tillë ajo është shpallur me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratuar më 28 nëntor të vitit 2012.
Çdo vit, ngjarje të ndryshme shënojnë këtë ditë duke ngritur dhe formësuar vetëdijen për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve, si dhe pemëve jashtë pyjeve, në dobi të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.
Dita Ndërkombëtare e Pyjeve është një ngjarje e caktuar për të promovuar vetëdijen për rëndësinë e pyjeve në jetën tonë dhe në ruajtjen e mjedisit.
Ajo kremtohet çdo vit , duke nxjerrë në pah rëndësinë e pyjeve në ruajtjen e biodiversitetit, ndryshimet klimatike, dhe mbrojtjen e mjedisit natyror. Kjo ditë ofron mundësinë për të edukuar njerëzit mbi rolin e pyjeve si burim të oksigjenit, si dhe burim për furnizimin me ujë, ushqim dhe ilaçe.
Një tjetër qëllim i kësaj dite është të inkurajojë angazhimin global për mbrojtjen e pyjeve dhe për promovimin e aktiviteteve që ndihmojnë në ruajtjen e tyre, si mbrojtja e llojeve të rrezikuara, forca e ligjeve për pyjet, dhe përmirësimi i menaxhimit të pyjeve.
Pyjet e Kosovës janë të ndara në pyje të larta, pyje të ulëta, shkurre dhe pyje të degraduara. Pjesën më të madhe të pyjeve të Kosovës e përbejnë pyjet e ulëta (42 për qind), ndërsa pjesën më të vogël pyjet e larta (15 për qind).
Sipas inventarizimit kombëtar të pyjeve që është realizuar në vitin 2003, është vlerësuar se sipërfaqja totale pyjore është 464,800 ha apo 42 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të Kosovës. Rreth 278,880 ha janë toka pyjore në pronësi publike, që menaxhohen nga Agjencioni Pyjor i Kosovës (APK), dhe është e organizuar në gjashtë rajone gjeografike.
Pyjet gjetherënëse përfaqësojnë 90 për qind të pyjeve të Kosovës dhe janë të dominuar nga dushqet dhe ahu, kurse pyjet halore mbulojnë rreth 7 për qind te pyjeve dhe janë të dominuar nga pisha, bredhi dhe hermoqi. Pyjet mbulojnë një të tretën e masës tokësore të globit dhe kanë një funksion thelbësor për të mirën e gjithë njerëzimit.
Rreth 1.6 miliardë njerëz, përfshirë edhe mbi 2000 komunitete indigjene, varen tërësisht nga pyjet. Këto të fundit janë eko sistemet biologjikisht më të ndryshme në tokë dhe strehojnë mbi 80% të specieve të kafshëve, pemëve dhe insekteve.
Pyjet kanë një rol kyç në betejën e njerëzimit për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike.
Ato balancojnë oksigjenin, dioksidin e karbonit dhe lagështinë e ajrit. Pyjet mbrojnë burimet e ujit që mundësojnë furnizimin me mbi 75% të ujit të pijshëm.
Pyjet sigurojnë ajër të pastër, ujë dhe energji. Menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve mund të sigurojë energji të rinovueshme dhe neutrale të karbonit për një të ardhme më të gjelbër.
Investimi më i madh në risitë teknologjike dhe në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve është çelësi për të rritur rolin e pyjeve si një burim kryesor i energjisë së rinovueshme. Në këtë mënyrë ne investojmë në të ardhmen tonë të qëndrueshme, në përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjen e një ekonomie të gjelbër./atvlive.tv