Sot kanë diplomuar 462 policë të rinj, të cilët pritet të kontribuojnë në sundimin e rendit dhe ligjit. Këta i takojnë gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Policia e Kosovës është një nga shtyllat kryesore të shtetit duke garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë.
“Krenaria sot është jashtëzakonshme sepse atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë që do t’i dalin Zot atdheut tonë”, u shpreh ajo në ceremoninë e diplomimit.
Osmani tha se Policia e Kosovës është mburoja e paqes dhe lirisë, derisa theksoi se policët janë shtylla e parë e rendit dhe garantuesja e lirisë së secilit qytetar pavarësisht etnisë.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate të Policisë së Kosovës e tregon strukturën e shoqërisë tonë dhe politikat e shtetit tonë.
Ai potencoi se 462 pjesëtarë të rinj i janë bashkuar Policisë së Kosovës, prej tyre 406 djem e burra dhe 56 vajza e gra. Ai shtoi se 343 prej të diplomuarve janë shqiptarë, 79 serbë, 23 boshnjakë, 6 turq, 3 ashkali dhe 2 rom.
Kurti tha se zotimi i kësaj qeverie për 2 mijë policë të rinj është përmbushur dhe po tejkalohet.