Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga problemet më shqetësuese në Kosovë. Raportet e fundit të Policisë së Kosovës tregojnë se pothuajse çdo ditë po regjistrohen raste të dhunës fizike, psikologjike, verbale, kanosjes dhe ngacmimit seksual, ndërsa në raportin e sotëm ka edhe dyshime për sulm seksual.
Sipas njoftimeve policore, në komunat Fushë Kosovë, Graçanicë dhe Obiliq janë regjistruar disa raste të dhunës në familje.
Në Fushë Kosovë janë arrestuar dy persona të dyshuar për sulme fizike dhe kanosje, ndërsa një rast tjetër, ku viktima femër është ofenduar dhe sulmuar, vazhdon të hetohet. “…viktima femër kosovare është ofenduar dhe sulmuar nga i dyshuari mashkull kosovar i cili më pas është larguar në drejtim të panjohur. Rasti nën hetime”, njofton policia.
Në Graçanicë janë raportuar raste të dhunës verbale dhe psikologjike ndaj viktimave femra, ku në njërin rast i dyshuari është dërguar në mbajtje. Ndërkohë, në Obiliq, një e dyshuar femër është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar tre persona, të cilët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.
Krahas dhunës në familje, Policia ka raportuar edhe raste të kanosjes dhe sulmeve seksuale.
Në Gjilan, një mashkull është arrestuar nën dyshimin për ngacmim seksual ndaj një femre, ndërsa në Shtime është arrestuar një tjetër i dyshuar për sulm fizik ndaj një viktime femër.
“Është raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.
Po ashtu, në Zveçan është hapur hetim për një rast të ngacmimit seksual përmes rrjetit social TikTok ndaj dy viktimave femra.
Kujtojmë, se sipas të dhënat statistikore, dhuna në familje në Kosovë po shënon rritje alarmante. Nga janari deri në tetor të vitit 2025 janë raportuar mbi 2,400 raste, ku shumica dërrmuese e viktimave janë femra. Ndërkaq, gjatë periudhës 2023–2025 janë raportuar mbi 8 mijë raste të dhunës në familje.






