Dhuna në familje mbetet fenomen shqetësues në Kosovë, me shumicën e viktimave gra, ndërsa sfidë kryesore vazhdon të jetë zbatimi i ligjeve në praktikë, u tha në një tryezë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) me temën “Një vlerësim mbi trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje: Si u trajtuan gjatë vitit 2025?”, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Njomza Arifi, tha se dhuna në familje vazhdon të mbetet shqetësim serioz në vend, pavarësisht përmirësimeve të caktuara në trajtimin institucional.
“Dhuna në familje vazhdon të mbetet shqetësim në Kosovë dhe shumica e viktimave janë gra. Këto janë edhe të gjeturat e raportit tonë. Ndonëse ka pasur përmirësime ndër vite sa i përket trajtimit të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial, ende ka probleme dhe sfida strukturore të cilat kërkojnë natyrisht vëmendje të mëtejshme si nga sistemi ashtu edhe ndaj institucioneve të tjera. Megjithatë, i gjithë raporti fokusohet në punën e gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë”, tha ajo.
Përfaqësuesja e Zyrës së BE-së, Lumnije Azemi, vlerësoi raportin si bazë të rëndësishme të të dhënave, duke theksuar si shqetësuese numrin e rasteve në veri, por edhe progresin në uljen e kohëzgjatjes së trajtimit të rasteve.
“Raportin e kam lexuar, është një bazë e mirë e të dhënave, më kanë rënë në sy dy gjëra diametralisht të kundërta. E para ka të bëjë me numrin e madh të rasteve në Mitrovicën e Veriut. Nuk e kam zgjedhur me ndonjë prapavijë, mirëpo më ka rënë në sy se aty ishte numri më i madh i rasteve. Nga ana tjetër, zvogëlimi i kohës së rasteve si dhe zvogëlimi i backlogut të rasteve. Kjo ishte një anë shumë pozitive që nuk duhet të çdo herë të potencojmë gjërat të cilat janë negative meqenëse të gjithë i dimë, por në anën tjetër edhe diçka pozitive. Për të parën, në fakt fatkeqësisht përpjekjet dhe të dhënat edhe të raportit edhe të bazës ligjore dhe të institucioneve janë më të ngadalta, meqenëse është një temë shumë delikate, shumë e rëndësishme dhe mjaft serioze, nuk ka mundësi që ajo të ndryshohet ngadalë”, tha ajo.
Menaxheri i projektit, Liridon Salihi, tha se rreth 75% e viktimave të dhunës në familje janë gra, ndërsa sfidë kryesore mbetet politika ndëshkimore dhe zbatimi i legjislacionit.
“E gjetura kryesore nga ky raport është se dhuna në familje mbetet një fenomen shqetësues që prek të gjitha grupmoshat e shoqërisë, nga fëmijët deri tek personat e moshës së shtyrë. Forma më e përhapur e dhunës në familje është dhuna ndaj grave. Me të dhënat e shohim se rreth 75% e viktimave të dhunës në familje rezultojnë të jenë gra, ndërsa 25% janë burra. Kosova ka një kornizë të konsoliduar ligjore për mbrojtjen dhe parandalimin e këtij fenomeni. Sfidë kryesore mbetet implementimi në praktikë i legjislacionit ekzistues. Policia vazhdon të pranojë një numër të konsiderueshëm të raportimeve të dhunës në familje, për nga numri i raportimeve prin rajoni i Prishtinës, ndërsa rajoni i Mitrovicës së Veriut prin në bazë të incidentes në 10,000 banorë. Por ajo çka mbetet sfiduese edhe nga të gjeturat e këtij raporti mbetet politika ndëshkimore”, tha ai.
Ai shtoi se shumica e akteve akuzuese përfundojnë me vendime dënuese, por dënimet shpesh nuk janë në përputhje të plotë me parashikimet ligjore.
“Rreth 87% e akteve akuzuese të prokurorive konfirmohen nga gjykatat dhe përfundojnë me aktgjykime dënuese, pra paraqet një efikasitet të lartë të akteve akuzuese që ngriten nga ana e prokurorit të shtetit. Sa i përket gjykatave, vetëm 14% e të akuzuarve marrin dënimin kumulativ, gjobë dhe dënim me burgim, siç e parashikon Kodi Penal i Republikës së Kosovës”, tha ai.
Salihi theksoi se një nga problemet kryesore mbetet edhe numri i madh i seancave të shtyra.
“Sfidë kryesore mbetet numri i lartë i seancave të anuluara apo të shtyra, si pasojë e mungesës së të pandehurve, dhe palëve të tjera të përfshira në procese gjyqësore. Çka kemi vlerësuar te pjesa e kornizës ligjore, ajo çka mbetet shqetësuese pra është çështja e implementimit në praktikë. Siç e dini, nga viti 2015, Kosova e ka ligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave, lëvizja e të cilëve është kufizuar me vendim gjyqësor”, tha ai.
Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë vitit 2025 Policia e Kosovës ka pranuar 2815 raste të dhunës në familje, me Prishtinën që prin për nga numri i rasteve, ndërsa Mitrovica e Veriut për nga incidenca. Numri i përgjithshëm i viktimave ishte 2836, ku 75.35% ishin gra dhe 24.65% burra, ndërsa nga 2998 persona të dyshuar, 84% ishin burra.
Sipas raportit ai tha se Prokuroria ka pranuar 2453 penale. Ndërsa sipas tij nga databaza e KGJK për vitin 2025 janë pranuar 1007 raste.
“Siç shihet edhe nga tabela, në total gjatë vitit 2025 Policia e Kosovës ka pranuar 2815 raste të dhunës në familje. Prishtina prin si rajoni me numrin më të madh me 960 raste, ndërsa në bazë të incidencës në 10,000 banorë, prin rajoni i Mitrovicës së Veriut me rreth 25 raste për 10,000 banorë. Në nivel vendi, numri i përgjithshëm i viktimave të dhunës në familje ishte 2836, nga të cilat 75.35% e tyre ishin gra dhe 24.65% ishin burra. Nga të dhënat e raportuara tek Policia e Kosovës, kemi 2998 persona të dyshuar, ku 84% e tyre ishin burra, ndërsa 16% ishin gra. Nga numri i personave të dyshuar, 1081 persona janë arrestuar për dhunë në familje, ku prej tyre 92% janë burra ndërsa 8% janë gra”, tha ai.
Prokurorja në ZKPSH dhe koordinatore për rastet e dhunës në familje, Laura Pula, tha se dhuna në familje mbetet një nga sfidat më serioze për sundimin e ligjit.
“Unë konsideroj se dhuna në familje është një nga sfidat më serioze të shtetit të së drejtës dhe një provë reale për funksionimin e drejtësisë penale në çdo shoqëri demokratike. Gjithë pajtohemi se ajo nuk ndodh në hapësira publike, në sallë, nuk zhvillohet as para kamerave, ajo ndodh në heshtje pas dyerve të mbyllura aty ku viktima shpesh mbetet e vetme përballë frikës, presionit dhe dhunës së vazhdueshme. Prandaj është më se i domosdoshëm reagimi institucional ndaj dhunës në familje dhe nuk është vetëm detyrë ligjore por është detyrim morale dhe është detyrim shtetërore. Mund të themi se në Kosovë ne prokuroria përfaqëson mekanizmin kyç të reagimit të shtetit së bashku me Policinë e Kosovës”, tha ajo.






